Ana e errët

Krimi del nga karantina: 4 të vrarë në 2 atentate, dy të vetëvrarë, brenda pak orësh

Mbyllja në karantinë e Shqipërisë pas shpërthimit të koronavirusit duket se mbylli përkohësisht edhe lajmet e bujshme të kronikës së zezë. Por, në ditën që hynë në fuqi disa masa lehtësuese lëvizjeje dhe ushtrimi aktiviteti, katër persona, dy prej të cilëve vëllezër humbën jetën nga breshëri armësh zjarri.

Në Durrës u ekzekutuan në atë që në dukje bëhet fjalë për një atentat mafioz pranë vendit të njohur si “Tregu i Makinave”. Viktimat janë Besmir dhe Viktor Haxhia. Ata kanë qenë duke udhëtuar me automjetin e tyre, tip “Volksëagen” në momentin që u është qëlluar me një breshëri makine, që gjithashtu paraprakisht dyshohet se ka qenë në ecje.

Plumbat lanë të vdekur Besmirin, 35 vjeç dhe Viktorin, 37 vjeç, me origjinë nga Puka, por banorë të Spitallës në Durrës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:40 minuta në Shënavlash, ku vëllezërit sapo kishin mbyllur punën e tyre, një biznes shitjesh makinash.

Dy vëllezërit e kishin ditën e parë të punës pas mbylljes si pasojë e masave shtrënguese që ndërmori Qeveria për të parandaluar përhapjen e Covid-19 në vendin tonë dhe ashtu si aktivitetet e tjera mezi prisnin rikthimin në normalitet dhe rihapjen e aktivitetit. Besmiri dhe Viktori kishin hapur pikën e Exchange dhe lavazhin që kishin në pronësi këtë të hënë për herë të parë pas bllokimit disajavor. Por, bashkë me ta duket se në pritje kanë qenë edhe ekzekutorët.

Në ndihmë të policisë vendore të Durrësit kanë shkuar edhe Forcat Speciale, që kanë ngritur postblloqe në hyrje-daljet e gjithë qytetit. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dyshohet se autorët e sulmit kanë qenë të paktën dy persona, pasi janë gjetur gjurmë predhe pistolete dhe predhe arme automatike.

Uniformat blu tregohen hermetike në lidhje me pistat e hetimit. Por, ajo që e bën më të vështirë punën e grupit hetimor është fakti që asnjëri prej dy vëllezërve nuk rezulton person me precedentë penalë. Mësohet vetëm se Viktor Haxhia kishte licencë për ushtrimin e profesionit të avokatit dhe burime të gazetës “Si” konfirmojnë se grupi hetimor ka kërkuar të gjitha dosjet që mund të ketë mbrojtur si avokat i ndjeri, në përpjekje për të gjetur mes tyre ndonjë të dyshuar. Pista tjetër lidhet me aktivitetin e tyre të biznesit, por që mbetet më e vakët.

Në pyetje janë marrë familjarët e viktimave dhe dëshmitë e banorëve që kanë denoncuar të parët breshërinë e armëve të zjarrit në zonë, ndërkohë që janë shoqëruar disa emra, që nuk bëhen publikë nga policia, si persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Misteret e krimit të dyfishtë në Durrës shumëfishohen në rastin e vrasjes së dy personave në fshatin Lalm i Vjetër të Lezhës. Viktimat janë Preng Simoni dhe Kol Murrani. Ata janë gjetur të vrarë në një zonë kodrinore pranë këtij fshati.

Ngjarja është denoncuar nga djali i një prej viktimave. Në vendin e ngjarjes, policia konfirmoi se që të dy personat kanë humbur jetën si pasojë e plagëve të marra me armë zjarri. Detajet të mëtejshme mbeten për t’u zbardhur, e po ashtu edhe lidhja mes dy viktimave. Preng Simoni ka ushtruar deri vonë profesionin e infermierit, ndërsa Kol Murrani njihet në zonën e Lezhës si rapsod.

Kronika e zezë nxihet edhe më shumë, pas raportimit të dy vetëvrasjeve nga Qarku i Elbasanit. Viktima e parë është një 28-vjeçar, Flori Albrahimi nga Përrenjasi. Ai është vetëvrarë në një zonë pyjore pranë banesës së tij. Ai ishte baba i një foshnje 6-muajshe dhe paraprakisht përjashtohet pista e depresionit për shkak të kushteve ekonomike, pasi ishte djali i një biznesmeni të njohur të zonës dhe jetonte në kushte shumë të mira.

Rasti tjetër lidhet me pronarin e një pike këmbimi valutor në qytetin e Elbasanit, që u gjet i vetëvarur në banesën e tij. Policia po heton të dyja rastet, duke marrë në pyetje familjarët e viktimave. Zyrtarisht nga uniformat blu nuk jepet më tepër informacion, por jozyrtarisht gazeta “Si” mëson se grupet hetimore nën zë fajësojnë karantinën për përkeqësimin e shëndetit të tyre mendor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë