Gazeta Si – Viti 2025 ka nisur me të paktën 8 ngjarje të rënda kriminale, ku në dy javët e para të muajit janar janë regjistruar 4 vrasje, 3 me armë zjarri dhe 1 me sende të forta.
Me përjashtim të vrasjes për “nder” në Shkodër, ku policia zbardhi krimin ndaj Ramazan Matajt nga vëllezërit Hasaj, ngjarjet e tjera kanë mbetur pa autorë.
Pjesë e kronikave është një plagosje me armë zjarri në Fier dhe një atentat në Berat, përfshirë dhe një plagosje me thikë në Shkodër dhe një tjetër në zonën e Laprakës me sende të forta, ku u rrah barbarisht një 48-vjeçar.
Një situatë alarmante, që ngre edhe një herë shqetësimin për rendin dhe sigurinë e qytetarëve me policinë të pafuqishme për të parandaluar këto ngjarje.
Në 4 janar, Ramazan Mataj u ekzekutua për vdekje me armë zjarri në makinën e tij. Për ngjarjen policia arrestoi dy vëllezërit Arjon dhe Klisman Hasaj.
Autorësinë e mori përsipër Arjoni, i cili ka rrëfyer se shkak për vrasjen është bërë një lidhje e vazhdueshme që 33-vjeçari kishte me motrën e tij. Kjo gjë sipas tij ishte bërë shkak për prishjen e dy martesave të saj.
Në 12 janar, Bujar Nasufi, 56 vjeç, sapo kishte parkuar automjetin e tij para banesës pranë zonës te “Pallati me Shigjeta”, kur një person ende i paidentifikuar iu afrua pranë dhe e qëlloi disa herë me armë zjarri në sy të gruas, duke e lënë të vdekur brenda në makinën e tij.
Të paktën 6 gëzhoja ka lënë në vendgjarje autori, i cili pasi ka kryer krimin është larguar me një motor, i gjetur i djegur në Kodrat e Sharrës një ditë më pas.
Lidhur me motivet e vrasjes, hetuesit po verifikojnë disa pista, mes të cilave ndonjë konflik të mundshëm ku mund të jetë përfshirë viktima kohët e fundit.
Një ditë pas ngjarjes në Tiranë, në 13 janar, mbeti i vdekur në një atentat Kristjan Marku, i cili u qëllua me breshëri teksa lëvizte në një makinë “Volkswagen” në autostradën Fier-Vlorë nga një tjetër makinë tip “Golf”.
Makina u gjet e djegur jo shumë larg vendit të ngjarjes dhe dyshohet se autorët janë ndihmuar nga persona të tjerë për t’u larguar. Pista ku janë përqendruar hetimet është ajo e hakmarrjes për shkak të përplasjeve mes grupeve kriminale.
30-vjeçari Kristjan Marku ka qenë i ndaluar për vrasje me dashje e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa dyshohet se ka qenë i përfshirë në atentatin që iu bë Saimir Reçit në vitin 2023.
Këtë të mërkurë (15 janar), Policia e Tiranës zbardhi vrasjen e të moshuarit Xhemal Meta në fshatin Zall Bastar.
Të hënën, 13 kanar, ai u gjet i pajetë pranë shtëpisë së tij, por pas dy ditësh hetime rezulton se është vrarë me sende të forta.
Nga hetimet mësohet se Xhemal Meta është gjetur i pajetë poshtë një muri me 13 Janar, jo shumë larg shtëpisë së tij dhe dyshohet se ishte nisur për në kafen e fshatit.
Nga ekspertiza paraprake rezulton se është dëmtuar me sende të forta. Në lidhje me ngjarjen janë marrë në pyetje banorët në 4 shtëpi që ndodhen aty. Viktima jetonte i vetëm.
Në 5 janar, 40-vjeçar Gledis Hoxhallari u plagos me armë zjarri në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Zogut të Zi” në Fier. Ai ndodhet në gjendje kritike i shtruar në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Policia tha se shpalli në kërkim si autor të dyshuar Klement Beqajn dhe bashkëshorten e të lënduarit, 29-vjeçaren Melisa Beluli.
Kjo e fundit ishte në një lidhje me autorin 25-vjeçar, ndërsa kishte nisur procedurat e divorcit. Ngjarja ndodhi në sy të fëmijës së mitur të çiftit në një lokal.
Në 2 janar, të paktën dy persona qëlluan me armë zjarri në drejtim të A.M., dhe A.Dh., të cilët shpëtuan për mrekulli.
Si autorë të ngjarjes policia ka shpallur në kërkim dy vëllezërit F.M., dhe M.M. Deri tani, janë arrestuar dy bashkëpunëtorë të autorëve të dyshuar.
Në banesat 2 vëllezërve, policia ka gjetur armën e zjarrit kallashnikov, me të cilën dyshohet se u qëllua, si dhe disa fishekë të saj.
Në 9 janar, dy persona kanë mbetur të plagosur në kryeqytet, pas një konflikti për motive të dobëta. Policia njoftoi se një 69-vjeçar ka goditur me sende të forta një 45-vjeçar, ndërsa ky i fundit e ka qëlluar me thikë, duke u kundërpërgjigjur.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:05, në rrugën “Ndre Mjeda” në kryeqytet, të dy të plagosurit ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Një 50-vjeçar u arrestua nga policia në Shkodër, pasi plagosi me thikë 30-vjeçarin Ademir Fresku (këngëtar), i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta, pasi lokali i të lënduarit ndodhej pranë dyqanit të autorit.
Në datë 5 janar, dyshohet se 4 persona të shpallur në kërkim nga policia, rrahën barbarisht 48-vjeçarin Adriatik Roshi për një sherr të nisur në 24 gushtin e vitit të shkuar në një lokal në Palasë të Himarës.
Ai u dhunua në ambientet e një berberhaneje në Laprakë. Policia tha se arrestoi Gani Koçekun 24 vjeç dhe Ledio Tusha 31 vjeç, ndërsa në kërkim u shpallën katër persona të tjerë, Roland, Luçiano, Dino dhe Gëzim Koçeku.E.A
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.