Interviste

Kreu i forcave të KFOR-it në Kosovë fajëson Albin Kurtin: Gaboi që vendosi kryetarë komuash me etni shqiptare

Gjenerali italian, Angelo Michele Ristuccia: Nuk njihen nga shumica serbe! Për dy vite janë bërë vetëm hapa pas. Mjaft me veprime të njëanshme

Gazeta Si - “Misioni i NATO-s nuk mund dhe nuk duhet të konsiderohet ombrella nën të cilën mund të strehohet pas veprimeve të njëanshme që prishin ekuilibra shumë të pasigurt”.

Ende nuk i ka kaluar tronditja nga ngjarjet e fundit në Kosovë gjeneralit të divizionit Angelo Michele Ristuccia, shefit të kontingjentit të KFOR-it si pjesë e NATO-s në Kosovë.

Mund të ishte një masakër, pa ndërhyrjen e ushtarëve të tij, të cilët u futën mes tërbimit të serbëve dhe Policisë Ushtarake të Kosovës. Dhe ndonëse në mënyrën e fshehtë që i ka hije një ushtaraku të gradës, njeriu që drejton dislokimin më të madh të forcave të Aleancës Atlantike në botë, nuk qëndron dot pa dhënë mendimin e tij.

Komandant, për çfarë e keni fjalën?

Para së gjithash, vendimi i kryeministrit kosovar Albin Kurti për të vendosur kryetarë komunash me përkatësi etnike shqiptare të pa njohur nga shumica serbe, pa marrë parasysh këshillat e kundërta të gjithë bashkësisë ndërkombëtare. Veprimi i dytë i njëanshëm i qeverisë së Prishtinës ishte përdorimi i forcës pa u konsultuar me ne, duke e bërë kështu të nevojshme ndërhyrjen tonë për të shmangur një tragjedi.

A nuk ishte kjo një zgjedhje legjitime nga ana e qeverisë së një vendi që vepron në territorin e vet?

Ju lutem, le të mos pretendojmë se kjo është një situatë normale. Këto janë vendime të marra pa koordinim paraprak me ne dhe me palët e përfshira.

Nuk është hera e parë që ndodh. Kjo është një qasje që sigurisht nuk nxit besimin e ndërsjellë.

Ne gjithmonë duhet të vlerësojmë pasojat e dëmshme që kanë këto lloj veprimesh. Kur më fliste, kryeministri Kurti ishte gjithmonë dakord me këtë qasje.

Pse nuk e ndoqi këtë herë?

Pyesni atë.

E pyetëm. Ai përgjigjet se Kosova është shtet sovran dhe nuk mund të dorëzohet para shantazheve të dhunuesve.

Si ushtarë, ne jemi të shqetësuar për sigurinë, stabilitetin dhe lirinë e lëvizjes së dy grupeve etnike. Unë nuk i gjykoj vendimet politike, por kam për detyrë të shqetësohem për pasojat e tyre, të cilat në një kontekst kaq delikat mund të çojnë lehtësisht në përshkallëzim, siç e kemi pare.

Çfarë do të ishte Kosova e Veriut pa misionin e NATO-s?

Një tjetër vatër lufte. Situata me të cilën po përballemi është rezultat i një sërë krizash të grumbulluara me kalimin e kohës.

Le ta quajmë një destabilitet të kontrolluar, i cili megjithatë po bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm në terren, për shkak të brishtësisë së marrëdhënieve mes dy grupeve etnike dhe kushdo që i përfaqëson ato. Çdo balancë e arritur me përpjekje të mëdha, krizë pas krize, po bëhet gjithnjë e më e pasigurt.

A janë përgjegjësitë vetëm në njërën anë?

Absolutisht jo. Të dyja palët nuk janë në gjendje të përfitojnë nga objektivat e arritura ndër vite, me përpjekje të mëdha nga diplomacia ndërkombëtare.

Në momentin që ka një marrëveshje, ajo duhet të zbatohet. Por pa asnjë dialog, mbetet një letër e vdekur. Në bazë të gjithçkaje ka vetëm mosbesim të ndërsjellë. ‘Pacta sunt servanda’. Kjo do të mjaftonte. Por ata nuk mund ta bëjnë këtë.

A është faji i nacionalizmave të ndërsjellë?

Ky mjedis është i ngopur me retorikë absolutisht joproduktive dhe të rrezikshme, krejtësisht jofunksionale ndaj objektivave të paqes që bashkësia ndërkombëtare dëshiron të arrijë në Kosovë.

Pra, a mungon vullneti politik?

Në njëzet vitet e fundit janë arritur rezultate të rëndësishme. Edhe në kushtet e bashkëjetesës paqësore.

Por duke filluar nga viti 2021, vetëm hapa prapa, si karkalecat. Për shkak të polarizimit ekstrem të disa fakteve, të shfrytëzuara nga të gjitha palët e përfshira në emër të politikave ekstremiste, të cilat kanë cenuar stabilitetin mes dy grupeve etnike.

Sa i lartë është rreziku i përkeqësimit të mëtejshëm të situatës?

Ndërhyrja jonë ka krijuar një efekt afatshkurtër. Përmes veprimeve diplomatike, Serbia dhe Kosova kanë filluar sërish të bisedojnë me njëra-tjetrën. Shpresojmë që kjo periudhë kohore të përdoret për të nisur negociatat reale. Sikur të mos ishte bërë deri më tani.

Burimi: "Corriere della Sera"; Përshtati në shqip: “Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë