Vizita “flash” e David Kostelancik në Tiranë, vetëm dy javë pasi ishte emëruar në krye të Zyrës për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit nuk ka qenë rastësi dhe po kaq mund t’i lihet rastësisë edhe fakti që as zyrtari amerikan dhe as Ambasada Amerikane në Tiranë nuk nxorrën një deklaratë në lidhje me takimet që diplomati i Uashingtonit pati me krerët e politikës shqiptare.
Kostelancik mori në muajin gusht drejtimin e Zyrës për Europën Qendrore dhe Jugore, një zyrë nën varësinë e Byrosë për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike të Departamentit Amerikan të Shtetit. Në këtë post mbërrin pas vitesh të tëra përvoje dhe shërbimi si diplomat nëpër ambasada në vende të ndryshme të Europës Lindore dhe Ballkanit.
Mes përvojave renditet edhe ajo që ka patur nga viti 1992 deri në vitin 2994 në Tiranë si oficer në sektorin politik të Ambasadës Amerikane në Shqipëri. Prej asaj kohe e deri më tani shumë gjëra kanë ndryshuar, përfshirë këtu edhe në politikë. Megjithatë, ashtu si 25 vite më parë, edhe këtë herë Kostelancik gjeti palët politike të vendosura kokëfortë në llogoret e tyre, e për më tepër me një pjesë të protagonistëve të pandryshuar.
Vizita nuk kishte si qëllim negociimin e krizës, por mbledhja e fakteve dhe njohja e palëve për të kuptuar se më “kë dhe çfarë kishte të bëntë”. Por, përçimi i një mesazhi të fortë amerikan për politikën shqiptare duket se nuk ka munguar dhe ai mesazh duket se u mor fort e qartë, aq sa fill pas largimit të tij, në Tiranë nisi të flitet gjithnjë e më shumë për mundësinë e një dialogu mes PS dhe PD, që mund të fillojë me reformën zgjedhore.
Nga rezultati që prodhoi vizita, që si pikë të parë duket se ka patur vendosjen e kontakteve me aktorët kryesorë të politikës me përjashtim të Presidentit Ilir Meta, ajo mund të krahasohet me vizitën “buldozerit” e Brian Hoyt-Yee para marrëveshjes së 17 majit 2017.
Por, për dallim nga profili i Brian Hoyt-Yee, CV e David Kostelancik e bën atë një njohës më të mirë të çështjeve ruse. Formimi i tij universitar është një ndërthurje mes shkencave ekzakte me ato shoqërore. Në “Northwestern University” është diplomuar në Matematikë dhe Shkenca Politike, ndërsa nga Universiteti i Miçiganit ka mbrojtur masterin me studimet për Europën Lindore dhe Rusinë. Profili plotësohet me diplomën shkencore për Sigurinë Kombëtare të marrë nga “National War College”.
Këto kualifikime dhe përvoja e gjatë, edhe si punonjës i ambasadës amerikane në Moskë e kanë caktuar gjithmonë në detyrë në vende, ku rritja e ndikimit rus kërcënonte interesat amerikane, si në ish-Çekosllovaki, Hungari, Turqi dhe së fundmi si kreu i Zyrës për Çështjet Ruse në Departamentin e Shtetit.
Me këtë profil ai zgjodhi Tiranën si ndalesa e parë që prej marrjes së detyrës së re dhe emërimit të Mattheë Palmer si Përfaqësues të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor.
“Nëse ka një gjë që kam mësuar nga të gjitha përvojat e mia me detyrat ndërkombëtare si diplomat nga Uashingtonit në Moskë, nga Tiranë në Ankara është se udhëtimi asnjëherë nuk përfundon. Do të ketë gjithmonë diçka të papritur diku në një cep, diçka e re për të zbuluar, për të arritur, për të kuptuar”, deklaronte David Kostelancik në 2017 gjatë një fjalimi të mbajtur në një aktivitet në Budapest, ku shërbente si punonjës i Ambasadës Amerikane atje.
Çfarë të papriture gjeti Kostelancik në Tiranë dhe ç’të re zbuloi? A nënkupton Uashingtoni me këtë vizitë të Kostelancik në Tiranë se interesat amerikane në vendin tonë po rrezikohen nga ndikimi rus? Kjo mbetet për t’u mësuar në ditët e javët në vazhdim, ku pritet që të ketë një angazhim të përforcuar të diplomacisë amerikane dhe kjo jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë Ballkanin Perëndimor.
Emërimi i tij në këtë detyrë mbërrin në një kohë që organizma, institucione dhe raporte të shërbimeve të inteligjencës perëndimore flasin gjithnjë e më shumë për shtim të ndikimit rus në Ballkan. Për të përforcuar këto zëra, “International Politics and Society” duke marrë shkas nga rrengu me anë të të cilit dy komedianë rusë peshkuan Kryeministrin Zoran Zaev publikoi në muajin gusht një analizë të gjatë mbi përpjekjet ruse, sipas saj, për destabilizimin e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut.
Në të njëjtën analizë, “IPS” fajëson për rritjen e ndikimit rus neglizhencën e Bashkimit Europian dhe mungesën e një zëri të unifikuar dhe të fortë në Bruksel përsa i takon procesit të zgjerimit dhe perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor.
“Perspektiva e rajonit drejt BEs-së dhe NATO-s ka zemëruar Moskën. Rasti më i dukshëm ishte anëtarësimi i Malit të Zi në NATO dhe përpjekja e dështuar për grusht shteti në tetor të vitit 2016. Në maj të këtij viti, gjykata malazeze dha dënime me pesë vjet burg për dy politikanë të opozitës pro-ruse për përfshirjen e tyre në këtë komplot. Që atëherë, Moska ka qënë në kërkim të një qasjeje më të kujdesshme për ta mbajtur rajonin në sferën e ndikimit të saj gjeopolitik. Telefonata e komedianëve rusë me Zaev tregoi se Moska po përpiqet të diskreditojë politikanët pro-europianë në Ballkan”, thuhet në analizën në fjalë.
Pikërisht këtë neglizhencë dhe “paaftësi” e BE-së për të shkëputur nga ndikimi rus rajonin e Ballkanit duket se ka detyruar Uashingtonit që të ndërhyjë vetë, për të mos i lënë terren bosh Moskës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.