Ngjarje

Kosova s’lejon hyrjen pa tampon: Test negativ ose karantinë

Asnjë qytetar shqiptar nuk ka mundur të futet sot në Kosovë. Edhe pse kufijtë janë hapur, qindra qytetarë janë bllokuar në kufi ose janë kthyer mbrapsht duke mos u lejuar të hyjnë në Kosovë. Tirana zyrtare nuk ka vendosur asnjë kusht për të gjithë shqiptarët e Kosovës, por qeveria në detyrë e kryeministrit Albin Kurti ka urdhëruar që asnjë qytetar i vendit tonë nuk mund të kalojë kufirin nëse nuk dorëzon një tampon të bërë katër ditët e fundit për Covid-19, ose të hyjë në karantinë. Vendimi, i cili kapur në befasi qytetarët shqiptarë, është në fuqi deri në datë 20 qershor.  Ndërkohë, në palën shqiptare kalohet normalisht, pasi kërkohet vetëm matja e temperaturës.

Problemi u shfaq ditën e djeshme kur me hapjen e kufirit, qindra shqiptarë të Shqipërisë morën makinat për të kaluar në Kosovë, por papritur u përballen me kushtet e policisë së Kosovës, sipas të cilës lejohej futja vetëm për ata që kishin bërë një test dhe kishin rezultuar negativ brenda katër ditësh. Në rast se nuk keni bërë tampon, ju mund të hyni në Kosovë por duhet të qendroni për 7 ditë në karantinë. Kjo pengesë bëri që gjatë ditës së djeshme të kthehen mbrapsht mijëra qytetarë dhe sipas mediave në Kosovë problemi vijon edhe sot , sidomos në pikë kufitare të Morinës, ku janë bllokuar qindra shqiptarë.

Duke komentuar situatë në kufi, Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në Shqipëri nuk ka një shërbim privat ku mund të bëhet analiza e COVID-19, analizë kjo e cila iu kërkohet qytetarëve që duan të shkojnë në Kosovë. Kreu i qeverisë i dërgoi një mesazh Kurtit, duke thënë se autoritetet e Kosovës i kanë të gjitha mundësitë për ta hequr këtë kërkesë të tepërt për qytretarët shqiptar që duan të shkojnë në Kosovë.

"Ne nuk kemi një shërbim tamponimi privat, nuk mendojmë që çështja e tamponit është si analizat e gjakut. Tamponimi bëhet mbi bazën e strategjisë së gjurmimit. Vlera e tij është shumë relative, kur bëhet kot apo si analizë gjatë, s'e mund ta bësh sot dhe ende nuk ke shenja të kapshme se virusi është inkubim. mund të hysh në kufi dh e nesër të shfaqen shenja, nuk e kemi si shërbim, nuk e dija këtë detaj. Mendoj që autoritet e Kosovës i kanë të gjitha mundësinë për ta lehtësuar këtë proces, siç është pa asnjë kusht dhe kërkesë të tepërt, përveç ardhjes me targa të rregullta ardhja në Shqipëri e Kosovë", tha Rama.

Megjithatë, në një reagim pas deklaratës së kryeministrit,  zyra e për Informim e Policisë së Kosovës konfirmon se nuk ka asnjë ndryshim tek kushtet e futjes në territorin e Kosovës. Për të kaluar në Kosovë qeveria e kryeministrit në detyrë Albin Kurti vendosi si kush që qytetarët shqiptarë jo vetëm të tregojnë tamponin, por edhe të dezifektojnë mjetet, duke vendosur një taksë prej 22 eurosh, e cila u hoq pas radhës së gjatë të krijuar në dogana.

Për mometin, shqiptarët mund të lëvizin nëpërmjet kufijve tokësorë vetëm drejt Kosovës dhe Malit të Zi.  

Nga vendet e rajonit, Vetëm Mali i Zi nuk ka vënë kushte për shtetasit shqiptarë, pasi vendi ynë renditet në listën e vendeve me raste aktive më pak se 25 për 100 mijë banorë.

Edhe Greqia kërkon tamponin për të lejuar kalimin e punëtorëve sezolë, të cilët janë të vetmit që mund të hyjnë në vendin fqinj deri në hapej totale të kufijve më 15 qershor. Ndërkohë, asnjë qytetar shqiptar nuk mund të hyjë në Maqedoninë e Veriut, e cila vijon që të jetë e mbyllur për shkak të rasteve të shumta me Covid-19, por qytetarët maqedonas mund të udhëtojnë drejt vendit tonë.

“Për Republikën e Italisë, Greqisë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk ka ndryshim të regjimit kufitar nga ana e tyre. Lejohet hyrja për në Shqipëri, por nuk lejohet hyrja për të gjithë udhëtarët në drejtim të këtyre vendeve, përveç atyre që janë rezident apo që kanë ndjekur procedurat me Ministrinë e Jashtme, si përgjatë periudhës së pandemisë, theksoi dje Policia  Shtetit në një deklaratë.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë