Nga Gazeta ‘Si’- Ajo që në fillim u duk si një ‘lëvizje surprizë’, është në fakt vetëm një hap formal.
Edhe pse duhej ta kishte dorëzuar ditë më parë, Albin Kurti njoftoi zyrtarisht dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Kosovës në mes të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Kjo, sepse Kushtetuta e Kosovës nuk lejon që dikush të jetë njëkohësisht edhe pjesë e ekzekutivit (pra, kryeministër) edhe pjesë e legjislativit (deputet).
Porse Kurti e njoftoi me anë të një letre dorëheqjen e tij, seanca e konstitutimit të Kuvendit të Kosovës dështoi pasi raporti për mandate i deputetëve, nuk mori 61 votat e mjaftueshme.
Partitë më të mëdha opozitare, PDK, LDK dhe AAK votuan kundër miratimit, gjë që u bë shkak që mes VetëVendosjes dhe opozitës të shkëmbeheshin një sërë akuzash.
Sipas deputëteve të LVV-së, seanca e sotme tregoi se “maskat ranë”.
Ata akuzuan opozitën se duan qëllimisht të zvarrisin procesin dhe se ky është një sulm brenda institucional, ndërkohë, opozita e akuzoi në kthim Kurtin për dorëheqje jo-serioze.



Sipas tyre, fakti që njoftimi për dorëheqjen erdhi në mes të seancës plenare e cila po vijonte prej dy orësh, tregon se Kurti po bën ‘lojë politike’.
Por çfarë do të ndodhë më tej dhe si do dalë Kosova nga ky ngërç parlamentar?
Skenar i ngarkuar politikisht
Edhe pse në momentin kur seanca dështoi u deklarua se për vijimin e situatës do të pyetej Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fakt, përgjegjësia për hapat e mëtejshëm bie vetëm mbi Kuvendin dhe partitë politike.
Osmani nuk ka rol konsultativ e as këshillues në raport me deputetët.
Tani barra bie mbi kryesuesin e seancës që të organizojë dhe të mbledhë deputetë në një seancë të radhës, e cila nuk duhet të jetë më larg se 48 orë nga momenti i dështimit.
Por, zgjidhja e këtij ngërçi nuk është lehtësisht e mundur. Shkak për këtë, mund të bëhet zgjedhja e kryetarit.
VetëVendosja, si partia më e madhe e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk ka asnjë kufizim kohor brenda së cilit duhet të propozojë emrin e kandidatit për kryetar.
Në një rast zvarritje të tillë (edhe pse në kuptim të funksionimit kushtetues të institucioneve këtë duhet ta bëjë sa më shpejt) Kuvendi duhet të thërrasë seanca çdo 48 orë.
‘Kurti në udhëkryq politik’
Nga ana tjetër, Albin Kurti mund të rikthehet nëse arrin të krijojë shumicën parlamentare. Por, për këtë i lipset të nisë seriozisht fazën e negociatave për koalicion.
VetëVendosja doli forca më e madhe në zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk fitoi shumicën absolute. Ndërkohë që Kurtit i duhen 61 mandate për të formuar qeverinë, ai ‘ka në xhep’ vetëm 48 të tillë.
Fakti që (deri tani) asnjë nga partitë e tjera nuk dëshiron të qeverisë me VetëVendosjen e lë Kurtin në mes të një udhëkryqi politik.
E vetmja gjë që po diskutohet korridoreve të Kuvendit të Kosovës është një koalicion i mundshëm mes Kurtit dhe kreut të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Një ‘tezë’ që e mbështet këtë është dhe qëndrimi i kreut të AAK-së, Haradinajt ndaj Limajt. Të dy, hynë në një koalicion parazgjedhor dhe morën 8 deputetët në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ne seancën e sotme ata nuk janë përshëndetur dhe as kanë biseduar me njëri-tjetrin në sallën e Kuvendit të Kosovës.
Nga ana tjetër, edhe pse u raportua për një pakt tjetër mes Kurtit dhe Dude Baljes e cila përfaqëson pakica boshnjake, deputetja sot u pa shumë e afërt me kreun e PDK-së, Memli Krasniqin.
Pra, për momentin, e vetmja gjë që dihet mesiguri në këtë tymnajë politike është se nëse brenda një afati (ende i paqartë) nuk do arrihet të zgjidhet Kryetari i Kuvendit (të cilin e zgjedh VetëVendosja), Kosovës i duhet të shkojë në zgjedhje të reja…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.