Ngjarje

Kosova inauguron autostradën më të madhe në Ballkan, mungon Rama

Inaugurimi i Autostradës me të madhe në Ballkani Perëndimor ka bërë bashkë në Prishtinë liderët dhe kabinetet qeveritare të Kosovës, Maqedonisë se Veriut dhe Malit të Zi, por nga qeveria shqiptare nuk kishte asnjë përfaqësues.

Autostrada “Arbën Xhaferi”, e cila lidh Prishtinën dhe Shkupin (Hani i Elezit) , është konsideruar nga si një kryevepër e infrastrukturës me një impakt të madh për zhvillimin e Kosovës. Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm kryeministri Ramush Haradinaj, presidenti Hashim Thaçi, Kryeministri i Maqedonisë së Veriu, Zoran Zaev dhe kryeministri malazez Dushko Markoviç.

Autostrada Prishtine - Hani i Elezit ka një gjatësi prej 60 kilometrash, dy tunele dhe urën me të gjate të rajonit.

Ndërtimi i saj filloi katër vite më parë nga kompania “Bechtel Enka” dhe kushtoi 700 milionë euro. Kjo rrugë u jep po ashtu mundësi udhëtarëve që të shijojnë edhe bukurinë natyrore të Grykës së Kaçanikut dhe Lumit Lepenc deri në Han të Elezit.

Por i vetmi që mungonte në këtë ceremoni ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili edhe pse ka marrë një ftesë nga qeveria e Kosovës duket se ka vendosur mos të mos shkojë.
Mediat në Prishtinë shkruajnë se Rama nuk ka pranuar të marrë pjesë në këtë event, edhe pse Haradinaj i ka dërguar ftesën për këtë ceremoni disa ditë më parë.

Ky vendim i kreut të qeverisë shqiptare vjen pas përplasjeve të njëpasnjëshme me Haradinajn, të cilat nisën në Berlin dhe u shtuan me ofendimet e ndërsjellta në konferenca për shtyp. Përplasjet mes Ramës dhe kreut të qeverisë së Kosovës u bënë edhe më të qarta pasi Haradinaj ndodhej disa ditë më parë në Shqipëri, por nuk u takua me kryeministrin, por me presidentin Ilir Meta.

Edi Rama dhe Ramush Haradinaj

Duke folur nga ceremonia e inaugurimit, Haradinaj tha se kjo autostradë është e një rëndësie të veçantë për zhvillim strategjik dhe ekonomik të Kosovës.

Ai ka kujtuar edhe rrugëtimin e shqiptarëve të Kosovës drejt Maqedonisë së Veriut në kohën e luftës, duke thënë se autostrada “Arbër Xhaferri” është një rrugë e miqësie mes Prishtinës dhe Shkupit.

“Autostrada është bërë me paratë e taksapaguesve. Kosova po ecën me guxim në fushën e infrastrukturës, madje jemi duke përfunduare edhe tre rrugët në drejtimin e Serbisë”, u shpreh Haradinaj.

Ndërkohë kryeministri Zaev ka paralajmëruar edhe ndërtimin e një tjetër autostrade mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. “Kjo është një autostrade madhështore që lidh rajonin dhe na shtyn të hapim edhe tenderin për autostradën Shkup-Bllacë me gjatësi 14 kilometra, me një investim 1 milion e 700 mijë euro”, ka thënë Zaev.

Nga ana tjetër, presidenti Hashim Thaçi është shprehur se shqiptarët i kanë ndërtuar urat e bashkimit mbi çdo pengesë dhe se nuk kanë asnjëherë qenë më të bashkuar se sot.
“Sot po përurojmë një ndër projektet më të mëdha të Republikës së Kosovës dhe urën më të gjatë në rajon. Nëse dje kemi ëndërruar që ta kemi një Kosovë si sot, tanimë e kemi realitet”, ka thënë presidenti.

Ai është rikthyer në kohë, duke kujtuar se ishte shef i Qeverisë së Kosovës në vitin 2014-të, kur kishte nisur ndërtimi i këtij segmenti rrugor.

”Urat e bashkimit i kemi ndërtuar mbi çdo pengesë. Shkupi, Tetova, Kumanova, Gostivari, Struga kurrë nuk kanë qenë më afër. Ne kurrë nuk kemi qenë më të bashkuar. Autostrada “Arbën Xhaferi”, të cilën e nisëm në 2014-ën, prej sot e hapur për të gjithë!”, u shpreh presidenti.

Në ceremoninë e inaugurimit të autostradës “Arbën Xhaferi” mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, i cili ka paralajmëruar edhe ndërtimin e një autostrade me Malin e Zi.

“Kosova po ndërton ura që po lidhin qytetarët tanë me vendet tjera. Ne do ta kemi edhe një projekt që do të lidh Kosovën me Malin e Zi. Ne po ndërtojmë edhe ura politike”, ka thënë Veseli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë