Politike

Kosova “fshihet”nga prioritetet e Këshillit të Sigurimit, Rusia e Serbia kundërshtojnë

Për Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kosova nuk bën më pjesë në listën e prioriteteve. Javën që lamë pas, ky Këshill miratoi agjendën e re, duke përgjysmuar mbledhjet e posaçme kushtuar Kosovës.

Propozimi ishte i britanikëve.

“Nëse shohim shkallën e konfliktit aktual në terren, Kosova është shumë herë larg çështjeve më urgjente që mund të diskutojë ky Këshill, si Jemeni, Kongo apo Haiti. Ndaj, mendoj se katër mbledhje në vit janë të tepërta”, deklaroi ambasadorja britanike në OKB, Karen Pierce.

Propozimi britanik u shqyrtua ditën e enjte dhe në përfundim u ra dakord që për Kosovën, Këshilli i Sigurimit të mblidhej tri herë për këtë vit dhe dy herë për 2020, nga katër herë që është mbledhur deri më tani për këtë temë.

Ideja britanike gjeti mbështetje edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zv.ambasadori amerikan në OKB, Jonathan Cohen tha se administrata e vlerëson marrëveshjen dhe vlerëson se mbledhjet për Kosovën ishin një humbje kohe.

“Është zhgënjyese që në një atmosferë që kërkon përmirësim, këto mbledhje të Këshillit vazhdojnë të përdoren për të shpalosur një gjuhë antagoniste”, deklaroi Cohen.

Ky reagim i amerikanëve ishte një kundërpërgjigje ndaj qëndrimit rus. Moska kundërshtoi reduktimin e mbledhjeve me tematikë Kosovën. “Pas këtij ndryshimi qëndron përpjekja për të fshehur nga komuniteti ndërkombëtar situatën e vërtetë në rajon dhe përfshirjen në skenarët për Kosovën”, deklaroi ambasadori rus në OKB, Vasilly Nebenzia.

Rusia vlerëson se Kosova mbetet burimi kryesor i pasigurisë në Ballkan dhe beson se situata është ekstremisht e paqëndrueshme, e që mund të shpërthejë në një konflik të hapur dhe një spirale dhune nga momenti në moment.

Kendvështrimin rus për situatën në rajon në përgjithësi dhe në Kosovë në veçanti e kundërshtoi Vlora Çitaku, ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Është e habitshme dhe e pabesueshme sot që ky Këshill harxhon më shumë kohë për Kosovën sesa për Sirinë, Jemenin dhe Venezuelën. Këto vende kanë probleme të vërteta dhe njerëz që duhen ndihmuar, ashtu siç ne në Kosovë dikur”, deklaroi ajo.

Çitaku akuzoi Beogradin se ka shfrytëzuar deri më tani mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për t’i treguar botës “përrallat serbe me Kosovën”, ndërsa Serbia e mohoi.

“Ne nuk i kërkojmë këtë mbledhje për protagonizëm, por si një kontribut për stabilizimin e situatës në Kosovë dhe për paqen në rajon”, deklaroi ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç.

Për Daçiç gota është gjysmë plot, pavarësisht reduktimit të mbledhjeve të Këshillit me tematikë Kosovën. “Me rëndësi është që Këshilli edhe në të ardhmen do të vazhdojë të diskutojë për çështjen e Kosovës”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë