Prokuroria e Posaçme ka dërguar në gjyq dosjen në ngarkim të 8 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme të arrestuar për tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit.
Ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme Edlira Naqellari së bashku me ish-zyrtarët e tjerë, mes tyre anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Kreshnik Bejkaj, Ani Omuri, Klevis Hasani, Fatmir Demneri, Gëzim Mingaj dhe Mariglen Buzali akuzohen “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
SPAK thekson se nga aktet e administruara, ka rezultuar se më datë 11.05.2020 në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme është zhvilluar procedura e prokurimit për llogari të Autoritetit Kontraktor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me objekt “Blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit”, për 4 vjet, me fond limit 2.800.347.570 (dy miliard e tetëqind milion e treqind e dyzet e shtatë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë) lekë (pa TVSH).
Nga hetimi kanë rezultuar veprime të kundërligjshme të bëra nga titullari i Organit Qendror Blerës, Drejtor i Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari në bashkëpunim me anëtarët e Njësisë së Prokurimit si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të cilët, në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, kanë favorizuar bashkimin e subjekteve juridike të shpallura fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, duke sjellë si pasojë cënimin e lirisë së pjesëmarrësve në tendera dhe krijimin e avantazheve të padrejta për palët e treta.
Të arrestuarit
-Edlira Naqellari, ish-drejtoresha e Prokurimeve Publike
-Flutura Çekrezi, anëtare e njësisë së prokurimit
-Ani Omuri, anëtare i njësisë së prokurimit
-Kleivis Hasani, anëtar i njësisë së prokurimit
-Kreshnik Bejkaj, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave
-Fatmir Demneri, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave
-Mariglen Buzali, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave
-Gëzim Mingaj, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave
Arrest shtepie
-Anisa Bogdani, anëtare e njësisë së prokurimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.