Shendet

Koronavirusi vijon të godasë të moshuarit, 11 viktima në Itali

Në Itali ka shkuar në 11 numri i viktimave dhe mbi 320 rastet e personave të infektuar me koronavirus. Katër viktima u regjistruan tre në Lombardi dhe një në Veneto. Që të gjithë ishin persona të moshuar dhe me një kartelë klinike të rënduar më parë me probleme shëndetësore.

Ndërkohë, autoritetet italiane kanë zgjeruar kapacitetet në spitalet që po përdoren për të pritur të dyshuarit me koronavirus, duke u trembur se në orët në vazhdim do të ketë rritje të numrit të tyre, pas regjistrimit të rasteve në Siçili dhe në zona të tjera të vendit, shumë larg gjeografikisht nga komuna e Kodonjos, ku u regjistrua pacienti i parë.

Qytetet e Veriut të Italisë kanë humbur gjallërinë e tyre. Frika nga virusi ka anuluar me qindra aktivitete kulturore, argëtuese dhe sportive, ndërsa është vënë re një fluks shtetasish italianë që largohen në drejtim të Sardenjës, Spanjës, apo vende të tjera, përfshi këtu edhe Shqipërinë.

Në Spanjë, pikërisht një shtetas italian u bë shkak që autoritetet të vendosnin në karantinë një hotel me rreth 1 mijë turistë në Tenerife, ndërsa pas Francës edhe Britania e Madhe ka vendosur që të vendosë në karantinë për 14 ditë të gjithë ata që udhëtojnë nga veriu i Italisë për në mbretërinë ishullore, pavarësisht nëse kanë apo jo simptoma me koronavirus.

Austria ka konfirmuar dy raste, ndërsa ka kufizuar lëvizjet e mjeteve të transportit në drejtim të Italisë, kryesisht Venetos. Të njëjta masa ka marrë edhe Kroacia, që konfirmoi këtë të martë një të infektuar.

Në Serbi nuk ka ende një rast të konfirmuar, por ministri vendas i Shëndetësisë tha se është çështje kohe që edhe vendi i tyre të preket nga virusi që ka përfshirë shumë vende të botës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë