Shendet

Koronavirusi, urgjenca e infektivit bëhet gati nëse do kemi rast në Shqipëri

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka mbledhur sot një grup ekspertësh të cilët janë venë në gatishmëri për të zbatuar masat paraprake për mbrojtjen nga koronavirusi. 

Manastirliu ka kërkuar që të merren masa për rritjen e survejancës, duke hartuar planet e emergjencës, të cilat fillimisht kanë nisur nga aeroporti i Rinasit. Ndër të tjera ajo theksoi se vendi ynë ka një survejancë të lartë dhe një laborator të standardizuar për përcaktimin e diagnozës. Një ndër masat e përcaktuara ishte edhe stafi i trajnuar.

Ndërsa, Silva Bimo, përfaqësuesja e Institutit të Shëndetit Publik shpjegon se koronaviruset janë të shumëllojshme dhe në vazhdimisht infektohemi me to, por nuk e dimë. Sipas saj ky është në virus i pa njohur më parë për shëndetësinë dhe për rrjedhojë ende nuk dihet si duhet trajtuar saktësisht. 

Ajo tha se virusi ka ngjashmëri me viruse të tjera respiratorë, kështu që masat që duhet të merren paraprakisht janë të higjenës së përgjithshme.

“Masat paraprake të OBSH janë të kontrolli respirator, përforcimi i survejanëvcës, kontrolli i higjienës. Është hera e parë që një virus respirator izolon mijëra banorë dhe duhet të theksojmë se kjo është një emergjencë e shëndetit publik për Kinën, por jo për Shqipërinë ,” shtoi specialistja.

Ndërkohë Doktori Lorenc Harshova, i cili është koordinues i veprimeve për masat, sipas udhëzimeve të Ministrisë dhe OBSH, në pikën kufitare të aeroportit të Rinasit, është shprehur se në Aeroportin “Nënë Tereza” ka një strukturë të përhershme të mjekëve specialist të shëndetit publik, por këtë herë ka shtesa të mjekëve në rast nevoje. Gjithashtu, sipas tij është shpeshtuar edhe pastrimi, dezinfektimi i mjedisit në aeroport. Ndër të tjera mjeku thekson se, ata kanë një bashkëpunim me policinë kufitare dhe kompanitë ajrore, nëse do të kenë nevojë për një listë pasagjerësh.

Pjesë e ekspertëve ka qenë edhe Drejtoresha e Shërbimit të Infektivit në QSUT, Najada Çomo e cila ka theksuar se në urgjencën e infektivit janë të gjitha masat nëse do të ketë një rast pritës.

Ministrja Manastriliu dhe ekspertët vazhdimisht kanë theksuar se duke mos pasur një linjë direkte me Kinën, ne ende bëjmë pjesë në vendet me rrezikshmëri të ulët për koronavirusin. 

“ Ky është një takim publik, por puna jonë ka filluar më herët. Bazuar në informacionin e deritanishëm rreziku për të ardhur në Shqipëri ky virus mbetet i ulët në krahasim me vendet e BE. Shqipëria, ekspertët nga ISHP kanë qenë në një trajnim intensive për të përballuar sëmundjet infektive dhe ato na gjejnë të përgatitur" ka shtuar  Ministrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë