Analize

Koronavirusi rikthehet në vendet e para që dolën nga karantina

“Nuk ka mbaruar ende”. Kjo ishte deklarata e parë e Presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in, pas zbulimit të dhjetëra rasteve të reja me koronavirus në kryeqytetin e vendit Seul, duke ngjallur frikë për një valë e dytë epidemie në vendin e Azisë Lindore.

Koreja e Jugut ishte ndër vendet e para që u përball me një epidemi të madhe të koronavirusit, dhe dukej se ishte në rrugën e duhur për të lehtësuar kufizimet, pas disa javësh izolimi. Por kur autoritetet menduan se po e linin pas krahëve epideminë, një sërë rastesh të reja pa lidhje epidemiologjike me njëra-tjetrën filluan të shfaqeshin në kryeqytet. Presidenti Moon paralajmëroi popullin e tij të dielën se nuk duhet ta ulin kurrë vigjilencën.

Në Europë, Gjermania ishte mbajtur si shembulli më i mirë sesi duhet përballuar epidemia, por numri i rasteve të reja është rritur ndjeshëm dy ditët e fundit.

Seul, Gazetea Si, 2020

Ajo u pa si një histori suksesi falë sistemit të shkëlqyer shëndetësor dhe testimit të hershëm në masë. Por me lehtësimin e masave, numri i rasteve të reja ka pësuar një rritje të menjëhershme. Kancelarja Angela Merkel i tha publikut javën e kaluar se duhet të kenë kujdes që lehtësimi i masave të mos rrëshqasë nga duart. Vetëm të hënën, Gjermania zbuloi më shumë se 900 raste të reja.

Qeveria federale gjermane dhe landet kishin rënë dakord për shtrëngimin e shpejtë të masave në rast se virusi kthehet, por deri më tani asnjë nuk duket i gatshëm të rikthejë karantinën. Merkel tha se nëse ndonjë qark i tejkalon 50 raste të reja me koronavirus për 100,000 banorë, masat e izolimit do të rivendosen atje. Gjatë fundjavës, disa qarqe në të gjithë vendin tejkaluan atë kufi.

Rastet e fundit ende mund të rezultojnë të jenë një valë shpërthimi që do të përmbahet, por fakti se vendet që kanë dalë të parat nga karantina, po raportojnë të gjitha raste të reja, është tekej shqetësuese.

Angela Merkel, Gazeta Si, 2020

Ministria gjermane e Shëndetësisë po e merr seriozisht këtë rritje të nivelit të përhapjes së Covid-19 në vend edhe pse zyrtarët nënvizojnë se kjo nuk do të thotë se situata nuk është nën kontroll. Duke ditur se procesi i rikthimit i jetës sociale dhe ekonomike mund të zhbëhet në çdo moment, Merkel iu bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat e vendosura.

“Është shumë e rëndësishme të tërheq sërish vëmendjen për faktin se po hyjmë në një fazë të re të pandemisë dhe për këtë do të jetë e nevojshme, që bashkë me zbutjen e masave, të sigurohemi që njerëzit të zbatojnë rregullat bazë; të ruajnë distancën, të mbulojnë gojën dhe hundën dhe të kujdesen për njëri-tjetrin”, u shpreh Merkel.

Vëzhguesit jaënë ndaluar edhe tek Singapori,  i cili në fillim të muajit prill kishte më pak se 2,000 raste, dhe tani ka më shumë se 23,000 pas heqjes së masave të distancës sociale.

Edhe Kina, po fut në fuqi disa nga masat e izolimit, pasi dy qytete raportuan raste të reja të virusit. Shulan, në provincën Jilin në verilindje të vendit, ndodhet në izolim, pas 11 rasteve të konfirmuara rishtas. Jilin kufizohet me Rusinë dhe Korenë e Veriut.

Wuhan, Gazeta Si, 2020

Por më alarmant janë rastet e reja në Wuhan, qyteti nga ku u shfaq për herë të parë virusi. Wuhani ishte qyteti i parë në botë që hyri në bllokim, duke u rikthyer në normalitet muajin e kaluar pas 76 ditësh.

Të hënën, zyrtarët thanë që pesë raste të reja ishin konfirmuar në qytet dhe se asnjë prej tyre nuk ishte importuar nga jashtë. Edhe pse ky numër është shumë i ulët krahasuar me shifrat në fillim të epidemisë, ose ato që raportohen çdo ditë në pjesën më të madhe të Europës perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara tani, aftësia e virusit për të vazhduar përhapjen e veçanërisht në një qytet të vrojtuar dhe të kufizuar intensivisht si Wuhan, ka alarmuar shkëncëtarët.

Mi Feng, zëdhënës i Komisionit Kombëtar të Shëndetit të Kinës u bëri thirrje njerëzve të "qëndrojnë vigjilent dhe të forcojnë mbrojtjen personale kundër virusit". Ai shtoi se grupimet e reja ishin një kujtesë për të shmangur tubimet sociale dhe për të kërkuar këshilla mjekësore ose testime nëse dikush shfaq simptoma të virusit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë