Ngjarje

Koronavirusi hyn në Kongres, Trump aktivizon aktin e kohës së luftës koreane

Dy përfaqësues të tjerë të Kongresit amerikan kanë rezultuar pozitivë me koronavirus. Republikani i Pensilvanisë, Mike Kelly dhe demokrati i Karolinës së Jugut, Joe Cunnigham konfirmuan lajmin pas kryerjes së testeve.

Cunningham tha përmes një deklarate të shkurtër se është vetëngujuar që prej datës 19 mars, kur mësoi se kishte patur kontakt me një anëtar tjetër të Kongresit, që rezultoi i prekur nga koronavirusi në atë kohë. Ai thotë se u testua të enjten, pas këshillës së dhënë nga mjeku. Këshilla i ishte dhënë pas humbjes së shqisave të shijes dhe ndjesisë së aromës, dy simptoma potenciale të koronavirusit. Rezultatin e testit e mësoi të premten.

“Simptomat më janë përmirësuar, por do të qëndroj në shtëpi derisa të sigurohem që është e siguritë se mund të dal nga vetëngujimi. Do të vazhdoj të kryej nga shtëpia detyrën tim si anëtar i Kongresit për t’iu përgjigjur kësaj krizë shëndetësore publike”, deklaroi ai.

Cunningham mirëpriti paketës stimuluese prej 2 trilionë dollarësh për ekonominë dhe përballjen me koronavirusin. Edhe republikani Mike Kelly njoftoi se kishte patur simptoma të ngjashme me kolegun e tij demokrat.

“Rezultova pozitiv këtë pasdite (të premten). Simptomat janë ende të lehta dhe do të vazhdoj detyrën nga shtëpia derisa të shërohem”, njoftoi ai.

Ndërkohë, 26 anëtarë të Kongresit amerikan, që kanë patur kontakte me dy ligjvënësit në fjalë njoftuan vetëngujimin deri në kryerjen e testeve për të mësuar nëse janë infektuar apo jo me koronavirus.

Kelly dhe Cunngham i bashkohen listës së kongresistëve dhe të senatorëve të prekur nga koronavirusi, që filloi me Mario Diaz-Balart, Utah, Ben McAdams dhe senatorin e Kentakit, Rand Paul.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi me numrin më të lartë të të infektuarve nga koronavirusi, që ka shkuar në rreth 105 mijë persona. Përhapja me shpejtësi e pandemisë ka detyruar Presidentin Donald Trump që të zhvendosë prioritetet.

“Prioritet është fillimisht shëndeti i amerikanëve, më pas ekonomia”, deklaroi ai, duke mburrur paketën 2 trilionë dollarëshe që kaloi Kongresi. Trump ka kërkuar edhe me gjuhë të ashpër dhe tone presioni ndaj sektorit privat që të mbështesë betejën kundër koronaavirusit.

Presidenti amerikan urdhëroi kompaninë “General Motors” që të prodhojë në masë respiratorë për pacientët me koronavirus. Ai riaktivizoi aktin e prodhimit mbrojtës, që daton që prej luftës së Koresë, që i mundëson Presidentit të detyrojë kompani të ndryshme që të prodhojnë produkte për mbrojtjen kombëtare.

Trump pati deklaruar se aktivizimi i këtij akti nuk ishte i nevojshëm, pasi kompanitë private po i përgjigjeshin vullnetarisht duke devijuar sektorin e prodhimit në ndihmë të materialeve mbrojtëse ndaj pandemisë. Por, të premten ai ndryshoi qëndrim, duke thënë se situata ishte shumë urgjente për ta lënë në duart e vullnetit të mirë të kompanive private.

Trump sulmoi “General Motors” se kishte hequr dorë nga premtimi për të prodhuar 60 mijë respiratorë, duke e ulur shifrën në vetëm 6 mijë të tillë. Presidenti amerikan urdhëroi si “GM”, ashtu edhe “Ford” që të shtojnë kapacitetet.

https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1243559373395410957

“General Motors duhet të hapë menjëherë fabrikën e mbyllur nga budallallëku në Ohajo, apo ndonjë fabrikë tjetër dhe të fillojë menjëherë të prodhojë ventilatorë. Tani! Ford duhet të vazhdoj të prodhojë ventilatorë, shpejt!!!”, shkruan Trump.

"General Motors" u përgjigj duke deklaruar se duke filluar që prej muajit prill mund të prodhojë maksimumi 10 mijë pajisje të tilla, ndërkohë që Donald Trump ka premtuar se brenda një kohe të shkurtër, SHBA do të kenë në dispozicion 100 mijë respiratorë për t’u ardhur në ndihmë pacientëve që do të kenë nevojë për frymëmarrje të drejtuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë