Shendet

Alarmoi Kosovën, britanikja nuk ishte e infektuar me koronavirusin

Kanë rezultuar negative analizat urgjente që i janë bërë një pacienteje që ishte shtruar si e dyshuar me koronavirus në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë. Mjekët e kësaj qendre thanë në mbrëmje vonë se pacientja nuk është prekur nga sëmundja që e ka origjinën nga Kina. Sipas tyre, pacientes i janë bërë analizat menjëherë, dhe rezultati ka dalë negativ.

Mjeku Naser Ramadani

Lajmin e ka bërë të ditur mjeku Naser Ramadani, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK). Edhe Lendita Berisha, drejtoreshë e Klinikës Infektive, e ka konfirmuar lajmin.

Koronavirusi alarmoi Kosovën, pasi autoritetet shëndetësore pohuan në mbrëmje se një shtetase britanike dyshohej se mbarte virusin vdekjeprurës. Sipas mjekëve, pacientja është shtetase e huaj, e cila punon në Kosovë dhe, që pasi i është shfaqur kollë, ka shkuar në spital për t’u kontrolluar.
Ajo është shprehur se kishte qëndruar në një qendër për ski jashtë Kosovës, ku ka mësuar se disa persona ishin dyshuar se janë prekur nga koronavirusi.
Sipas mjekëve, asaj i janë bërë analizat menjëherë dhe rezultati i tyre do të tregojë nëse ajo është infektuar me koronavirus.
“Sapo morëm informacionet e para, mostrat janë dërguar menjëherë në laborator. Sidoqoftë, për pacienten që është e shtruar tashmë, janë marrë të gjitha procedurat izoluese, nëse ajo del pozitive me koronavirus”, ka njoftuar mjeku Naser Ramadani nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës.
Për rastin në fjalë ka folur edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitija. “Bëhet fjalë për një shtetase të huaj në Kosovë, që ka qëndruar në një qendër skijimi me pesë të dyshuar të tjerë që dyshohet se janë infektuar me koronavirus”, ka thënë Vitija.
Sipas mjekëve gjendja e pacientes është shumë e mirë. Në Klinikën Infektive ajo është pranuar me kollë, por pa temperaturë. Britanikja e cila punon në Kosovë është ankuar për lodhje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë