Pjesa më e madhe e Ballkanit dhe vendet europiane ka marrë sot masa në aeroporte për të parandaluar përhapjen e koronarovirusit që vjen nga Kina, por në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë pasagjerët kinezë hyjnë normalisht.
Nga një vëzhgim i bërë sot nga mediat në aeroport rezulton se autoritetet shqiptarë nuk po bëjnë asnjë verifikim për udhëtarët nga Kina, pavarësisht rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për marrjen e masave.
Në Shqipëri fluturimet me Kinën bëhen nëpërmjet Stambollit dhe numri i qytetarëve kinezë që vijnë për turizëm është relativisht i lartë, por deri më tani nuk ka masa kontrolli.

Por koronarovirusi ka alarmuar vendet e rajonit. Aeroportet e vendeve fqinje, të cilat kanë linja fluturimi me Kinën, kanë filluar kontrollin e pasagjerëve kinezë të cilët vijnë nga provincat e prekura nga Koronavirusi.
Ministri i Shëndetësisë i Serbisë, Zllatibor Lonçar tha se situata po monitorohet vazhdimisht në aeroportin Nikolla Tesla të Beogradit ku është instaluar një aparat modern, i cili zbulon temperaturën e të gjithë njerëzve që kalojnë kontrollet në këtë aeroport.
“Nëse një person konstatohet se ka ethe, ai vendoset në karantinë dhe më pas transferohet në Klinikën e Sëmundjeve Infektive, ku gjendja e tij monitorohet më tej”, sqaroi ministri.
Sipas tij, Serbia është një nga vendet e pakta që tashmë ka reagentë për zbulimin e virusit të fundit, në Klinikën e Sëmundjeve Infektive.
“Ne po bëjmë gjithçka që rekomandohet nga Organizata Botërore e Shëndetit, madje edhe më shumë se kaq,” tha Lonçar.
Pajisje për matjen e temperaturës janë bërë edhe në aeroportet ndëkombëtare në Bullgari, Rumani, Slloveni, Itali dhe Kroaci.
Ndërkohë, Institutet e Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut, Bosnje Hercegovinë dhe Mal të Zi kanë nxjerrë disa rekomandime në lidhje rrezikun nga virusi. Aty rekomandohet që të merren masa themelore për të zvogëluar rrezikun e transmetimit të infeksionit tek udhëtarët.
Ato rekomandojnë shmangien e kontaktit të ngushtë me njerëz me infeksion të frymëmarrjes akute dhe larje të shpeshtë të duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose mjedisin e tyre.

“Duhet të shmanget kontakti i ngushtë me kafshë të gjalla ose të ngordhura. Këshillohet që udhëtarët që kanë ethe brenda 14 ditëve nga kthimi prej qytetit kinez Vuhan, duhet të kontaktojnë mjekun e tyre”, thuhet në njoftimin e Institutit të Bosnjës.
Një nga aeroportet ka nisur këtë kontroll, është edhe ai Romës, ku siç shihet në këto pamje, personeli mjekësor po përgatitet për mbërritjen e pasagjerëve nga kina për të parë nëse ka shenja të koronavirusit.
Po ashtu, edhe Aeroporti Heathrow në Londër, i cili ka linjë direkte me Kinën, ashtu si Roma, ka përshtatur një hapësirë të veçantë, për të bërë kontrollin e pasagjerëve që vijnë nga Wuhan, dhe po ashtu për të informuar pasagjerët për simptomat.
Cilat janë simptomat?
Virusi infekton mushkëritë dhe simptomat fillojnë me ethe dhe kollë. Mund të përparojë me vështirësi në frymëmarrje.
Ky shpërthim i këtij virusi, sipas autoriteteve shëndetësore, ka ringjallur kujtimet e virusit Sars – gjithashtu një koronavirus – që la mbi 770 njerëz të vdekur në fillim të viteve 2000, në dhjetëra vende, kryesisht në Azi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.