Gazeta Si - Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme ushtarake. Njoftimi i bërë si surprizë me një mesazh në TV, ishte i motivuar nga akuza e opozitës për kontrollin e Parlamentit, simpati ndaj Koresë së Veriut dhe paralizim të qeverisë me aktivitete antishtetërore.
Sipas presidentit, ky hap është vendimtar për ruajtjen e rendit kushtetues. "Për të mbrojtur një Kore të Jugut liberale nga kërcënimet e paraqitura nga forcat komuniste të Koresë së Veriut dhe për të eliminuar elementët anti-shtetërorë... Unë deklaroj ligjin e emergjencës ushtarake", - tha Yoon në një fjalim të transmetuar drejtpërdrejt në televizion për kombin.
Yoon, në pushtet që nga viti 2022, ka parë që vlerësimet e tij të pëlqimit të bien ndjeshëm në muajt e fundit.
Yoon ka refuzuar thirrjet për hetime të pavarura në skandalet që përfshijnë gruan e tij dhe zyrtarë të lartë, duke tërhequr kritika të ashpra nga rivalët e tij. Opozita kishte bërë thirrje për shkarkimin e tij.
Në njoftimin e tij televiziv, Yoon akuzoi opozitën se "paralizoi gjykatat e vendit duke kërcënuar gjyqtarët dhe fajësuar prokurorët dhe duke u përpjekur të largonte ministrin e Brendshëm, rregullatorin kryesor të transmetimit, kreun e Bordit të Rishikimit të Kontabilitetit dhe Inspektimit dhe Ministrin e Mbrojtjes".
Më pas, ai akuzoi opozitën se donte të shkurtonte 4 trilionë fon nga buxheti i shtetit (rreth 2.8 miliardë dollarë) dhe e përcaktoi Parlamentin si "një vatër kriminelësh".
Partia Demokratike (në opozitë) thirri menjëherë një mbledhje urgjente, ndërsa mediat e Seulit raportuan një takim të menjëhershëm midis ministrit të Mbrojtjes dhe të gjithë drejtuesve të forcave të armatosura, të cilët të gjithë u vendosën në gatishmëri maksimale.
Ministri i Jashtëm, Cho Tae-yul thirri gjithashtu një samit urgjent. Politikisht, presidenti shfaqet i izoluar: edhe Partia e Pushtetit Popullor, ku Yoon është përfaqësues, tashmë e ka përcaktuar futjen e ligjit ushtarak si "të gabuar".
Nuk është ende e qartë se çfarë do të thotë shpallja e gjendjes ushtarake për qytetarët e Koresë së Jugut.
Zërat e parë që vijnë nga vendi aziatik, raportojnë se Parlamenti është bllokuar nga policia dhe pezullohet aktiviteti i tij. Përleshjet shpërthyen mes policisë dhe demonstruesve jashtë objektit të Kuvendit.
Situata po bëhet gjithnjë e më e tensionuar. Komandanti i forcave të armatosura në terren, gjeneral Park Ahn-soon, do të emërohej si kreu i ri i të gjitha forcave të armatosura menjëherë pas shpalljes së gjendjes ushtarake.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.