Bota

Koreja e Jugut do votojë për shkarkimin e presidentit, por duhen edhe 8 vota nga mazhoranca

Gazeta Si – Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare në Korenë e Jugut kanë marrë miratimin për mocionin e shkarkimit të Presidentit Yoon Suk-yeol, i akuzuar për përpjekje për të vendosur ligjin ushtarak, që do të hidhet në votim të shtunën 7 dhjetor në orën 19:00 (11:00 në Shqipëri).

Opozita numëron 192 vota, ndërsa kuorumi i kërkuar është 200 nga 300 deputetë të Parlamentit. Kështu, nevojiten 8 “disidentë” të mazhorancës për të plotësuar numrin për shkarkimin e Yook Suk-yeol.

Megjithatë, partia e mazhorancës së Pushtetit Popullor ka siguruar se do të kundërshtojë mocionin dhe se 108 deputetët e saj do të votojnë të bashkuar kundër shkarkimit.

Ndërkohë, Policia e Koresë së Jugut ka filluar hetimin e Yoon Suk-yeol për “kryengritje” të dyshuar, pas shpalljes së ligjit ushtarak. Kjo u raportua nga Woo Jong-soo, kreu i Shtabit Kombëtar të Hetimit të Agjencisë Kombëtare të Policisë.

Ndërkohë, qeveria Yoon po shpërbëhet me shpejtësi. Kreu i Shtetit pranoi dorëheqjen e paraqitur nga ministri i Mbrojtjes, Kim Yong-hyun.

Ishte ky i fundit që i propozoi Yoon shpalljen e gjendjes ushtarake. Choi Byung-hyuk, një gjeneral i ushtrisë me katër yje në pension, i cili aktualisht shërben si ambasador i Koresë së Jugut në Arabinë Saudite, u emërua për ta zëvendësuar atë.

Choi shërbeu si zëvendëskomandant i Komandës së Kombinuar Kore e Jugut-SHBA nga viti 2019 deri në vitin 2020, si një profesionist ushtarak me përvojë me një kuptim të gjerë të çështjeve të sigurisë kombëtare dhe përvojë të konsiderueshme në terren.

Zyra e prokurorit qendror të qarkut të Seulit ka vendosur një ndalim udhëtimi për ish-ministrin e Mbrojtjes, në pritje të një hetimi për akuzat për tradhti.

Ndalimi u vendos, pasi një grup partish më të vogla politike paraqitën një ankesë duke akuzuar Presidentin Yoon, Kim dhe Shefin e Shtabit të Ushtrisë, General Park An-su për tradhti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë