Ngjarje

Korçë, bashkëshorti dhunon gruan për një gotë vaji dhe nuk e lejon të mjekohet

Gazeta Si - Konflikti për një gotë vaji, dyshohet se ka qenë shkaku i një rasti dhune në një familje në qytetin e Korçës.

Një 55-vjeçare nga Korça ka shkuar në spital me frakturë në këmbë dhe ka akuzuar bashkëshortin e saj se e ka dhunuar disa ditë më parë, duke e privuar nga marrja e shërbimit mjekësor.

Sipas 55-vjeçares Diana Mulla, ngjarja ka ndodhur rreth një javë më parë në banesë, ku bashkëshorti i Dianës, Fatos Mulla, e ka shtyrë në shkallët e shtëpisë private, duke i shkaktuar thyerje të këmbës së djathtë.

Mësohet se ai e ka mbajtur në banesë deri ditën e djeshme, e më pas e ka çuar në spital, aty ku e dhunuara ka treguar për bluzat e bardha se bashkëshorti e ka shtyrë.

55-vjeçarja ka probleme shëndetësore, ku ka pësuar paralizë dhe vuan nga zemra, pra konsiderohet si person invalid.

Ajo denondoi këtë të enjte në polici, ndërsa bashkëshorti Fatos Mulla u shoqërua në komisariat për të dhënë deklaratën e tij. 

Shkak për konfliktin mes tyre, është një motiv banal, grindje për një gotë vaji, siç thuhet nga ana e të dhunuarës.

Përgjatë këtyre ditëve, bashkëshorti nuk e ka lejuar të kontaktojë më familjarët e saj, ndërsa bëhet me dije se vajza e vetme e çiftit jeton prej vitesh në Itali.

Sipas burimeve nga spitali dhe bluzave të bardha, dëmtimet e shkaktuara nga dhuna, janë të pariparueshme, të cilët tregojnë se është shumë e vështirë për të kuruar totalisht këmbën e djathtë dhe ka rrezik që të dëmtuarës të mos i funksionojë këmba.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë