Shendet

“Kopjoni” mjekët, ja si ta mbani larg gripin

Si të qëndroni të shëndetshëm kur njerëzit rreth jush janë sëmurë me grip? Disa këshilla na vijnë nga mjekët, të cilët janë personat e parë që më së shumti qëndrojnë në kontakt me të sëmurët. Sigurisht, gjëja e parë që duhet të bëni për të parandaluar gripin është të kryeni vaksinat antigrip në konsultim me mjekun tuaj.

Lani duart shpesh - Pa marrë parasysh se çfarë pune bëni, nëse jeni në kontakt me njerëzit, duhet të lani duart shpesh, thotë Alan Pocinki, mjek në Spitalin Universitar të Xhorxh Uashingtonit. “Lani duart shpesh, gjatë ditës, sidomos pas kontaktit me dikë që është sëmurë me grip”, thotë ai. Duket aq e thjeshtë, por sapuni dhe uji janë shoqëruesit e vazhdueshëm të mjekëve dhe infermierëve. Për të hequr plotësisht viruset nga lëkura juaj, ju duhet të pastroni duart për 20 sekonda ose më shumë. Nuk ka rëndësi nëse uji është i nxehtë apo i ftohtë - akti i pastrimit do të zhdukë mikrobet.

Shmangni kontaktin me duar me njerëzit e sëmurë - Mjekët janë shumë të kujdesshëm kur bëhet fjalë për kontaktin më duar me njerëzit e sëmurë. Të njëjtën gjë duhet të bëni të gjithë, kur vini re që një person pranë jush është sëmurë me grip, shmangni shtrëngimin e duarve, thjesht i jepni një përshëndetje.

Mbani ambientin e pastër - Amanda Long, një terapiste nga New York, u kërkon klientëve të qëndrojnë në shtëpi nëse ndihen keq. Për të mbajtur gripin larg ajo pastron ambientin shumë shpesh, duke përfshirë edhe çelësat, dorezat e dyerve, divanet e gjithçka tjetër. Gjithashtu duhet ajrosur ambienti shumë shpesh, sidomos pas një vizite të një personi që ka qenë me grip. Edhe Beth Geoghegan, një infermiere nga Florida, thotë se ajo e nis ditën e saj, fillimisht duke pastruar ambientin e saj të punës.

Lani uniformat çdo ditë - Duhet të lani uniformën tuaj të punës çdo ditë. Ju nuk e dini kurrë se personi që mund të keni pasur kontakt ka qenë me grip, ndaj është shumë e rëndësishme që të lani duart, si dhe të merrni uniformën e punës në shtëpi çdo ditë, për ta larë.

Bëni një jetesë të shëndetshme - "Është e rëndësishme të kujdeseni për shëndetin tuaj", thotë Ardis Dee Hoven, MD, një mjek internist dhe specialist i sëmundjeve ngjitëse në Lexington. "Bëni të gjitha gjërat që ne të gjithë duhet të bëjmë çdo ditë. Merrni pushimin e duhur kur ju duhet; diçka që njerëzit shpesh e nënvlerësojnë – ushqehuni mirë, mos konsumoni pije alkoolike apo duhan, shmangni gjërat që ju shkaktojnë alergji", thotë Hoven.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë