Shendet

Kontrolloni kolesterolin që kur jeni 20 vjeç!

Sipas studiuesve njerëzit duhet të kontrollojnë nivelin e tyre të kolesterolit që në moshën 20-vjeçare. Ata thonë se ky proces është i nevojshëm për të parandaluar vdekjen e parakohshme, nga sëmundjet e zemrës apo goditjet në tru.
Studimi i publikuar në revistën mjekësore “The Lancet” është gjithëpërfshirës dhe përshkruan rreziqet shëndetësore të të pasurit kolesterol për vite të tëra. Sipas hulumtuesve, njerëzit duhet të ndërmarrin veprime menjëherë për të zvogëluar kolesterolin nëpërmjet dietës ushqimore, pa arritur deri tek ilaçet.

Çfarë është kolesteroli?

Kolesteroli është një substancë yndyrore që gjendet në disa ushqime dhe gjithashtu prodhohet edhe nga mëlçia. Ne kemi nevojë për këtë substancë, për krijimin e hormoneve të tilla si estrogjeni dhe testosteroni, si dhe vitamina D. Prej kohësh dihet tashmë që kolesteroli klasifikohet në dy tipe, në kolesterol me lipoproteinë me densitet të lartë, i cili është i mirë sepse ndihmon trupin të jetë i shëndetshëm dhe lipoproteinë me densitet të ulët, që konsiderohet e keqe sepse mund të bllokojë arteriet.

Çfarë kanë zbuluar studiuesit?

Ata analizuan të dhëna nga pothuajse 400.000 njerëz nga 19 vende dhe konsistuan se nivelet e kolesterolit me lipoproteinë të ulët janë një rrezik i madh, për sëmundjet kardiovaskulare që në fillim të moshës madhore (20 vjeç).
Bashkautori i raportit Stefan Blankenberg, nga spitali universitar në Hamburg deklaroi se rezultatet kanë treguar se të rinjtë janë të rrezikuar nga sëmundje të ndryshme njëjtë sa edhe të moshuarit. Duke shpjeguar problemet që shkakton kolesteroli, Blankenberg shpjegoi se një zgjidhje e mundshme për të shmangur yndyrat në gjak janë aktivitetet fizike dhe një dietë e shëndetshme.
Ndër të tjera ai u bën thirrje të rinjve që të kontrollojnë nivelin e kolesterolit në gjak, për të qenë të informuar dhe të kujdesen më pas për veten. Gjithashtu, i shtoi se edhe marrja e ilaçeve kundër kolesterolit ka efekte anësore, por që për këtë duhet një studim edhe më i hollësishëm.

Drejtori i Fondacionit Britanik “Zemra”, Nilesh Samani tha se ky studim thekson rëndësinë e kolesterolit në gjak dhe shpjegon mënyrën se si yndyrat mund të kthehen në pak kohë në një faktor kryesor për sëmundjet e zemrës. /BBC/

 

Më Shumë