Menaxhim

Kontratat publike / Do të përjashtohen kompanitë pa pronarë të deklaruar, por jo offshore-t

Nga Gazeta ‘SI’ – Socialistët kanë prezantuar sot në Komisionin online të Ekonomisë, projektligjin e ri për Prokurimin Publik ku u detajuan më tej ndryshimet e parashikuara.

Drejtoresha e Autoritetit të Prokurimit Publik, Reida Kashta, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetit Erion Braçe, tha se çdo kompani që nuk ka deklaruar pronarët përfitues në QKB skualifikohet nga konkurrimi, por kjo vetëm sipas ligjit shqiptar.  Ajo sqaroi se nëse ka kompani të llojit offshore, që sipas ligjit të një vendi tjetër nuk i deklarojë pronarët, do të pranohen gjithsesi.

Shkurtimi i afateve të procesit të prokurimit, një shqetësim i deputetit Braçe, nuk mund të ndodhë pasi sipas Kashtës, koha e vendosur është e mjaftueshme për autoritetet. Ajo shtoi se digjitalizimi i proceseve dhe futja e AI shkurton automatikisht kohën dhe i bën veprimet më shpejt.

Drejtoresha e APP sqaroi se pagesa për sistemin e prokurimit do të jetë vetëm për autoritetet dhe kompanitë dhe se do të vendoset me VKM.

“Pagesa do të vendoset me VKM, kur të jetë në funksion edhe sistemi me Inteligjencën Artificiale, jo tani. Do t’i shërbejë mirëmbajtjes së sistemit. Ne ulim shpenzimet për procedurat , por vendosim një ‘fee’. E përdor Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe ne kemi menduar një vlerë të përafërt. Nuk do të kufizojë aksesin e përdoruesve. Të dhënat do të mbeten publike”, sqaroi ajo.

Drafti u prezantua nga ministrja e shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila tregoi se organizimi i prokurimeve në një organ qendror do të bëhet me ndihmën e të huajve.

“Rritet transparenca dhe eficienca. Propozojmë zhvillimin e teknologjisë, studim tregu, përllogaritja  e vlerës limit dhe vlerësimin e ofertave. Përafrohet legjislacioni me direktivat europiane, parashikohet ekspertiza e jashtme, unifikohet dhe krahasohet, që nga kufijtë monetarë tek sistemi. Synohet rritja e kapaciteteve kontraktore dhe riorganizimi i autoriteteve kontraktore” tha ministrja e Shtetit Spiropali.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë