Futboll

Konte kërkon Rakitiç-Matiç për mesfushën, Milani rrezikon rënien

Interi i Antonio Kontes fitoi 3-4 në fushën e Sasuolos dhe mban vendin e 2-të, 1 pikë pas Juventusit kryesues. Zikaltrit kanë një ecuri mjaft të mirë këtë sezon, por trajneri Konte nuk kënaqet kurrë. Ai kërkon gjithmonë e më shumë dhe i ka synimet të qarta. Duhet të përforcojë mesfushën dhe drejtuesve të klubit u ka çuar dy emra: kroatin e Barcelonës, Ivan Rakitiç, dhe serbin e Mançester Junajtid, Nemanja Matiç.

Interi ka nevojë për më shumë përvojë në mesfushë dhe dy emrat që kërkon trajneri Konte janë vërtet ekspertë. Kanë vite që luajnë në nivele të larta dhe secili prej tyre do t’u bënte punë zikaltërve. Rakitiç nuk aktivizohet titullar me trajnerin Valverde, por problemi është se kroati dhe bashkëshortja e tij duan një vend me klimë të ngrohtë. Matiç pëlqehet shumë nga Konte, i cili do të bëjë gjithçka që serbi të bashkohet me Interin në merkaton e janarit. Tani topi është në fushën e drejtuesve të Interit.

Ivan Rakitiç, një nga objektivat e Kontes. Gazeta Si, 21 tetor 2019

Krejt ndryshe është situata te Milani, që vazhdon të jetë i mbërthyer nga kriza e rezultateve. Edhe ndryshimi në stol nuk e ka “shëruar” ekipin kuqezi. Trajneri i ri, Stefano Pioli, debutoi me një barazim të hidhur në shtëpi ndaj Leçes. Duket se nuk është çështje trajneri, por e organikës së skuadrës. Milani lë për të dëshiruar në fushë dhe 10 pikët që ka në tabelën e klasifikimit vërtetojnë se më shumë duhet të mendohet për mbijetesën se për pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Trajneri Pioli ndryshoi pak gjëra në formacionin, por që nuk rezultuan efikase, sepse kuqezinjtë humbën dy pikë të çmuara në fushën e tyre.

Problemet e mëdha financiare po e penalizojnë shumë Milanin. Drejtuesit klubit duhet të shesin në merkaton e dimrit për të rregulluar bilancin, çka do të thotë se ekipi do të humbasë më shumë në kualitet. Zërat për një interesim të pronarit të Milanit për të marrë Guardiolën në stol duken thjesht një zhurmë mediatike. Kriza vazhdon dhe po bëhet gjithmonë e më e thellë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë