Shendet

Konsumimi i mishit të kuq lidhet me rrezikun e diabetit të tipit 2

Zëvendësimi i mishit të kuq me burime proteinash me bazë bimore si arrat dhe perimet mund të zvogëlojë rrezikun e diabetit të tipit 2, sipas një studimi të ri.

Reduktimi i sasisë së mishit të kuq që hani është një mënyrë e mirë për shmangur disa probleme me shëndetin.

Studiuesit kanë zbuluar se ngrënia e vetëm dy porcioneve të mishit të kuq në javë mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2.

“Gjetjet tona mbështesin udhëzimet dietike që rekomandojnë kufizimin e konsumit të mishit të kuq”, thotë autori Xiao Gu, studiues në Universitetin e Harvard.

Studiuesit analizuan të dhënat nga më shumë se 200,000 njerëz për deri në 36 vjet. Gjatë kësaj kohe, më shumë se 22,000 pjesëmarrës zhvilluan diabetin e tipit 2.

Çdo porcion ditor i mishit të kuq të përpunuar lidhej me një rrezik 46 për qind më të lartë të zhvillimit të diabetit të tipit 2.

Me kalimin e kohës, diabeti i tipit 2 mund të shkaktojë dëme serioze në trup, veçanërisht në enët e gjakut, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Shkencëtarët nga Universiteti i Harvardit thanë se kalimi në më shumë burime proteinash me bazë bimore, si arrat dhe bishtajoret, lidhet me një rrezik 30 për qind më të ulët të diabetit të tipit 2. Zëvendësimi i mishit të kuq me produkte të qumështit u zbulua gjithashtu se zvogëlon rrezikun e diabetit.

“Duke pasur parasysh gjetjet tona dhe punën e mëparshme nga të tjerët, një kufi prej rreth një porcioni në javë të mishit të kuq do të ishte i arsyeshëm për njerëzit që dëshirojnë të ruajnë shëndetin dhe mirëqenien e tyre”, thotë Walter Willett, një tjetër studiues.

Roli i saktë i mishit të kuq është i vështirë të përcaktohet pa kërkime shtesë, por një hipotezë është se prania e nitrateve dhe nitriteve në mishin e kuq të përpunuar mund të ketë një ndikim në pankreas, organi që prodhon insulinë.

Përveç një diete të ekuilibruar, OBSH rekomandon gjithashtu që të qëndroni fizikisht aktiv me të paktën 30 minuta ushtrime të moderuara çdo ditë për të ndihmuar në parandalimin e diabetit të tipit 2.

Ngrënia e mishit të kuq lidhet edhe me sëmundje të tjera

Mishi i kuq është lidhur me sëmundje të tjera përveç diabetit të tipit 2.

Një meta-analizë e publikuar në vitin 2015 tregoi se një porcion i mishit të kuq në ditë lidhej me një rrezik 19 për qind më të lartë të vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare.

Shkencëtarët kanë gjetur gjithashtu lidhje midis konsumit të mishit të kuq dhe një rreziku më të lartë të zhvillimit të kancerit të zorrës së trashë.

*Studimi u publikua të enjten në The American Journal of Clinical Nutrition.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë