Interviste

Kongresmeni amerikan: Shqipëria mund të jetë sërish objekt i sulmeve kibernetike

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kongresmeni amerikan Ritchie Torres, thotë se komuniteti ndërkombëtar duket t’i dërgojë Iranit një mesazh të qartë, se nuk do të tolerohet për asnjë sulm kibernetik që ndërmerr ndaj një vendi sovran.
“Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë më shumë. Jam i shqetësuar se Shqipëria mund të vazhdojë të jetë objektiv i sulmeve kibernetike. Ne e dimë se Irani kreu dy sulme kibernetike, një në korrik dhe një në shtator. Hakerat iranianë depërtuan në rrjetet shqiptare, 11 muaj para sulmit. Ndaj ka një nevojë reale për të investuar në mbrojtjen kibernetike të vendeve tona aleate si Shqipëria, jo vetëm me fjalë, por me fonde, duke investuar më shumë përmes ndihmës së huaj për të forcuar sigurinë kibernetike të aleatëve tanë si Shqipëria”, deklaroi Torres.
Më tej ai shton se “nëntëdhjetë e pesë për qind e të dhënave të qeverisë shqiptare janë në internet. Ndaj sulmi ishte thellësisht problematik. Ai i shkaktoi qeverisë shqiptare dëme që llogariten në miliona dollarë dhe për herë të parë në histori, një vend ndërpret marrëdhëniet diplomatike bazuar në një sulm kibernetik. Ndaj duhet të dërgojmë një mesazh të qartë se ka zero tolerancë për këto lloj sjelljesh”.
Ai është nga nismëtarët e një projekt-rezolute dorëzuar pak ditë më parë në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila dënon sulmet kibernetike të Teheranit ndaj Shqipërisë, e bën thirrje për forcimin e mbrojtjes kibernetike të këtij vendi.
Rezoluta është dorëzuar në komisionin për Politikën e Jashtme dhe ky komision, sipas ligjvënësit amerikan do të duhet të mbajë një seancë dëgjimore për të pasuar nga një votim. “Shpresoj se do të ketë mbështetje dypartiake për Shqipërinë, e cila ka qenë një nga aleatët më të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara. Dhe do të ketë një dënim publik, dypartiak të Iranit, për përfshirje në terrorizëm kibernetik”, thekson kongresmeni amerikan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë