Gazeta Si - Ish-gardisti Martin Nikolla, i cili paraditen e të dielës u përfshi në një konflikt të dhunshëm për motive pronësie, ka akuzuar palën tjetër, ndaj të cilës dyshohet se përdori dhunë dhe qëlloi në ajër me armën e shërbimit.
Në dëshminë e tij në polici pas arrestimit, ai tregon për konfliktin që kanë për rrugën me familjen Kaçi, me të cilin janë edhe të afërm dhe debatet e shpeshta.
Në përgjigjet e tij, ai ka argumentuar dhe momentin kur ka nxjerrë armën me të cilën shprehet se ka qëlluar vetëm në ajër.
LEXO EDHE:
- Dhuna në Hamallaj, arrestohet gardisti pjesë e grupit të shoqërimit të Lindita Nikollës. Kryeparlamentarja: Akt i dënueshëm
- Sherr me shkopa bejsbolli mes dy familjeve në Hamallaj. Konflikti për rrugën e lagjes: Gardisti qëllon në ajër me armë zjarri. Balla e përjashton
Mësohet se ai është mbrojtur, duke thënë se ka shmangur me degradimin e situatës pas përdorimit të sendeve të forta. Në këtë mënyrë shkrepja e pistoletës ka shpërndarë palët.
Shkak për ngjarjen dyshohet se u bë një rrugë kalimi, e cila shpeshherë kishte shkaktuar jo pak përplasje mes dy familjeve.
“Erdhi babai i palës tjetër dhe na ofendoi. Konflikti ka nisur në fillim nga ana e tyre. Më pas gjërat u përkeqësuan dhe nisi konflikti më i rëndë. Në fund kam qëlluar me armë në ajër. Qëllimi ka qenë për të ndaluar sherrin dhe konfliktin që kishte nisur. Nxora armën për të qëlluar në momentin që sherri po degradonte deri në përdorim të sendeve dhe objekteve të forta”, mësohet të ketë thënë ish-gardisti Martin Nikolla.
Por ndryshme prej tij kanë dëshmuar familjarët e dhunuar të familjes Kaçi. Ata shprehen se shpesh janë ofenduar dhe sharrë prej fisit Nikolla.
Pas ngjarjes së rëndë, që sa nuk përfundoi me viktima, me urdhër të Ministrit të Brendshëm, efektivi i Gardës u përjashtua nga detyra. Martin Nikolla me funksion ndihmës oficer sigurie në grupet e shoqërimit, ishte i punësuar si shoferi zëvendësues i kryeparlamentares Lindita Nikolla.
Kjo e fundit dënoi ngjarjen nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale. Nikolla u shpreh se institucionet duhet të dënojnë këdo që ka gisht në këtë rast flagrant pavarësisht pozicionit ku ka shërbyer më herët.
Nikolla gjithashtu shkroi se institucionet do t’i ofrojnë familjes Kaçi mbrojtjen që parashikon ligji.
Bashkë me gardistin, policia njoftoi edhe arrestimin e një të afërmi të tij, që po ashtu u përfshi në konflikt. Ai është Afred Nikolla dhe akuzohet për kanosje, plagosja të rëndë me dashje dhe prishje të qetësisë publike
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.