Drejtësia

Konfiskohen 3.4 milionë eurot të fshehura në makinat ‘Toyota Yaris’

Gjykata e Posaçme ka njoftuar konfiskimin e 3.4 milionë eurove të sekuestruara në qershor të vitit 2018 në dy makina ”Toyota Yaris” në Portin e Durrësit.

Vlerat monetare që u futën në mënyrë të paligjshme në Shqipëri, dyshohen nga SPAK se janë para të ardhura nga aktivitetet kriminale.

Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës dënoi Ervis Vladin, si personi i cili i futi këto shuma për akuzën e “Mosdeklarimit të të hollave në kufi”.

Ai u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, pasi u kap me 3.4 milionë euro të fshehura brenda makinave “Toyota Yaris” të ardhura nga Belgjika. Vladi ka përfituar gjykim të shkurtuar, që do të thotë se do të përfitojë uljen e 1/3 të dënimit.  Në të njëjtën dosje u dënua edhe Agim Çeka për “armëmbajtje pa leje” me 2 vjet 4 muaj.

Çështja u përdor si një 'kalë beteje' nga opozita shqiptare në Parlament për të akuzuar ashpër kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Por i rrezikuar për t'u marrë i pandehur si dekonspirues i operacionit, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, u paraqit më datë 25 korrik 2019 për të dhënë shpjegime përpara prokurorit.

Ai bëri një denoncim gjatë një fjalimi në Kuvend, dy ditë para se të bllokoheshin në portin e Durrësit automjetet që vinin nga Belgjika, në të cilat ishte fshehur shuma prej 3.4 milionë eurosh.

Taulant Balla e paditi Bashën për shpifje, lidhur me deklaratat që ky i fundit bëri në Kuvend se shuma e 3.4 milionë eurove e zbuluar ne dy makinat ‘Toyota Yaris’ i përkiste kreut te grupit socialist. Kryedemokrati u dënua nga gjykata me 50 mijë lekë gjobë për shpifje ndaj Ballës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë