Ngjarje

Konfirmohet rasti i parë i murtajës te dhitë në Shqipëri

Gazeta Si – Në Shqipëri është konfirmuar zyrtarisht rasti i parë i murtajës tek dhitë. Rasti është shënuar në Postribë të Shkodrës në një fermë të mbarështimit të dhive.

Konfirmimi është bërë nga Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtes së Bimëve. Analizat e bëra në laboratorin e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë kanë konfirmuar praninë e virusit PPR.

Pas konfirmimit të rastit, janë ndërmarrë menjëherë të gjitha masat për izolimin dhe menaxhimin e situatës në terren.

“U bëjmë thirrje të gjithë fermerëve dhe mbarështuesve të kafshëve të imta (dele dhe dhi) që të zbatojnë masat parandaluese dhe të kufizojnë lëvizjen e kafshëve brenda dhe jashtë fermave. Në çdo rast të shfaqjes së simptomave të dyshimta, si temperaturë e lartë, rrjedhje nazale, inflamacion i syve, ulje e oreksit, diarre apo ngordhje e papritur, duhet të njoftohet menjëherë Shërbimi Veterinar Rajonal përkatës ose të kontaktohet numri i gjelbër falas: 0800 3366”, – thuhet në njoftimin e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve.

Murtaja e Ruminantëve të Vegjël (PPR), e njohur edhe si Peste des Petits Ruminants, është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek kafshët e imta, kryesisht delen dhe dhitë.

Përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë mes kafshëve, nëpërmjet: sekrecioneve nga hunda dhe sytë, jashtëqitjes, ajrit të kontaminuar në ambiente të mbyllura.

Simptomat tek kafshët e prekura përfshinë temperaturë e lartë, rrjedhje nga hundët dhe sytë, inflamacion në gojëm vështirësi në frymëmarrje, diarre e fortë, dobësi, mungesë oreksi. Murtaja e dhive nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet asnjë rrezik për shëndetin publik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë