Lajme

Konfirmohet në detyrë prokurori Sokol Stojani

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ditën e sotme ka konfirmuar në detyrë Sokol Stojanin, prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

Trupa gjykuese që e hetoi Stojanin ishte e përbërë nga: Brunilda Bekteshi, Suela Zhegu dhe Valbona Sanxhaktari.

Sipas hetimit të KPK-së, prokurori e justifikonte pasurinë e tij, ndërsa sipas DSIK-së, Stojani është i përshtatshëm për të vazhduar detyrën, pasi nuk ka kontakte të papërshtatshme.

Seanca dëgjimore për Stojanin u zhvillua më 30 tetor 2018.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave (ILKPDKI) pati raportuar se subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të saktë, ka mjaftueshmëri financiare për pasurinë e vet, nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesave, nuk ka bërë fshehje të pasurisë dhe nuk ka bërë deklarim të rremë.

Sa i përket pastërtisë së figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka dorëzuar një skedë të pastër për të në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, duke e shpallur “të përshtatshëm” për vijimin e detyrës.

Sa u përket aftësive, KPK raportoi se Stojani ka marrë vlerësimin shumë mirë gjatë periudhës së rivlerësimit 2016-2018 dhe ndaj tij nuk ka pasur masë disiplinore.

Sokol Stojani është një nga përfaqësuesit e akuzës në dosjen penale të vrasjes së deputetit demokrat Azem Hajdari, ka qenë prokuror i dosjes “Pasaportat” dhe së fundi ka marrë pjesë në hetimet për vdekjen e biznesmenit Kosta Trebicka dhe mbi zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit.

Gjithashtu ai ka pasur edhe përplasje me kryeprokuroren e përgjithshme të përkohëshme Arta Markun. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë