Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ditën e sotme ka konfirmuar në detyrë Sokol Stojanin, prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
Trupa gjykuese që e hetoi Stojanin ishte e përbërë nga: Brunilda Bekteshi, Suela Zhegu dhe Valbona Sanxhaktari.
Sipas hetimit të KPK-së, prokurori e justifikonte pasurinë e tij, ndërsa sipas DSIK-së, Stojani është i përshtatshëm për të vazhduar detyrën, pasi nuk ka kontakte të papërshtatshme.
Seanca dëgjimore për Stojanin u zhvillua më 30 tetor 2018.
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave (ILKPDKI) pati raportuar se subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të saktë, ka mjaftueshmëri financiare për pasurinë e vet, nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesave, nuk ka bërë fshehje të pasurisë dhe nuk ka bërë deklarim të rremë.
Sa i përket pastërtisë së figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka dorëzuar një skedë të pastër për të në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, duke e shpallur “të përshtatshëm” për vijimin e detyrës.
Sa u përket aftësive, KPK raportoi se Stojani ka marrë vlerësimin shumë mirë gjatë periudhës së rivlerësimit 2016-2018 dhe ndaj tij nuk ka pasur masë disiplinore.
Sokol Stojani është një nga përfaqësuesit e akuzës në dosjen penale të vrasjes së deputetit demokrat Azem Hajdari, ka qenë prokuror i dosjes "Pasaportat" dhe së fundi ka marrë pjesë në hetimet për vdekjen e biznesmenit Kosta Trebicka dhe mbi zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit.
Gjithashtu ai ka pasur edhe përplasje me kryeprokuroren e përgjithshme të përkohëshme Arta Markun.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.