Nga Gazeta ‘SI’ – Konfederata e Industrive të Shqipërisë, Konfindustria ka sugjeruar një paketë të jashtëzakonshme financiare nga qeveria që të ndihmojë bizneset e prekura nga rënia e euros.
“Përfundimi i mësipërm vjen duke pasur parasysh mënyrën e sotme të ndërtimit dhe funksionimit të sistemit ekonomik dhe financiar kombëtar, si dhe varësinë e fortë të tij në natyrën në masë të madhe informale të flukseve valutore të huaja. Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor, për të përballuar zhvlerësimin e fortë të Euros kundrejt Lekut do të ishte pa asnjë ndikim dhe do të përfundonte në humbje të rënda dhe të panevojshme financiare”, vlerëson Konfindustria.
LEXO EDHE:
– Sejko takim me eksportuesit: Forcimi i lekut tregon përmirësimin e ekonomisë. Nuk ju ka dëmtuar
– Zhvlerësimi i euros, Sejko: Fenomen normal, nuk ka sjellje spekulative
Në harkun e një viti financiar 2022-2023, monedha euro është zhvleftësuar në mbi 9% kundrejt lekut duke prekur rëndë industritë dhe prodhimin vendor dhe sidomos eksportet shqiptare.
“Vetëm industria e manifakturës përllogaritet të ketë humbje mbi 200 milionë euro nga mbiçmimi i panatyrshëm i lekut. Grupet e bizneseve importuese janë përfituesit kryesorë të dobësimit të tejskajshëm të sforcuar të euros kundrejt lekut”, thuhet në njoftim.
Konfindustria kërkon që ndërhyrja për mbrojtjen e industrive dhe prodhimit vendor, sidomos të eksporteve, duhet të kryhet nëpërmjet një pakete të ndërthurur ndihme financiare të drejtpërdrejtë për kategoritë më të prekura si dhe masa fiskale për uljen e kostove. Masat fiskale ndihmëse mund të fillojnë nga ulja e taksave dhe çmimeve të energjisë elektrike, të karburantit, të sigurimeve shoqërore, etj.
Konfindustria vlerëson, se ndërhyrja nga ekzekutivi, me paketë të ndërthurur financiare dhe fiskale, duhet të jetë sa më e shpejtë në kohë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.