Ekonomi

Koncesionet minojnë transparencën financiare

Shqetësimet e ngritura nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Komisioni Europian dhe të tjera institucione dhe organizma financiarë ndërkombëtarë për tenderat e dhënë sipas skemës partneritet publik-privat është pasqyruar edhe në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi transparencën fiskale.

Shqipëria mbetet në vendnumëro dhe pa një progres domethënës në klasifikimin e DASH sa i takon transparencës së qeverisë sesi i shpenzon paratë e taksapaguesve. Sipas raportit, vendi ynë përmbush minimalisht kriteret e transparencës fiskale, duke u renditur në të njëjtën kategori me pjesën më të madhe të vendeve të rajonit, por edhe me vende si Afganistani, apo Burkina Faso dhe Kolumbia.

Klasifikimi jo domosdoshmërisht tregon nivelin e zhvillimit dhe të mirëqeverisjes së një vendi, pasi në të njëjtën kategori renditen edhe vende si Izraeli, apo Estonia. Por, në këto raste transparenca financiare sakrifikohet për hir të politikave të sigurisë kombëtare.

Për Shqipërinë vështirë se mund të përdoret i njëjti argument. Sipas kuadrit ligjor për mbrojtjen e të dhënave për sigurinë kombëtare, tenderat e prokuruara në këtë fushë mbahen sekret, ose publikohen vetëm pjesët që nuk cenojnë sigurinë kombëtare.

Ajo që cenon transparencën fiskale të qeverisë shqiptare mbeten koncesionet sipas skemës partneritet publik-privat, që Qeveria nuk i klasifikon si borxh publik, por që nga institucionet ndërkombëtare janë pjesë e këtij borxhi. Së dyti, Qeveria ka qenë transparente në publikimin e shifrave të tenderave dhe koncesioneve të dhëna sipas kësaj skeme, por në raportet e FMN, BB dhe organizmave të tjerë financiarë ndërkombëtarë, transparenca ka munguar në efektet financiare të këtyre koncesioneve në buxhetin e shtetit.

Shqetësimin për PPP-të DASH e shprehu më herët edhe në raportin e klimës së biznesit.

“Raportimet dhe denoncimet për afera korruptive me tenderat janë gjë e zakonshme. Zgjerimi i kontratave sipas partneritetit publik-privat ka cenuar ndjeshëm garën në infrastrukturë dhe sektorët e tjerë, përfshirë këtu edhe për investitorët e huaj. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e një ekspertize teknike në vëzhgimin e kontratave sipas kësaj skeme (PPP) janë shqetësime të vazhdueshme. Në fund të 2018, Qeveria kishte nënshkruar më shumë se 200 kontrata të tilla”, thuhej në atë raport.

Kujdes me PPP-të kanë kërkuar edhe agjencitë e vlerësimit të kreditimit, “Standard & Poor’s” dhe “Moody”, që konfirmuan në raportet e fundit vlerësimin pozitiv B+ për vendin tonë, por nënvizuan koncesionet sipas kësaj skeme si një rrezik serioz për financat e vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë