Ekonomi

DASH: PPP-të dëbuan investitorët. Shpresë te reforma në drejtësi

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin vjetor të klimës së biznesit, ku për Shqipërinë vlerësohet kuadri ligjor si tërheqës për investimet e huaja direkte, por qortohen praktikat e ndjekura nga autoritetet shtetërore dhe sistemi i drejtësisë në mbrojtje të këtyre investimeve.

“Investitorët kanë shprehur shqetësimin e vazhdueshëm se autoritetet dhe rregullatorët shpesh u referohen normave ligjore të vështira për t’u interpretuar, ose kontradiktore, si mjet për të trembur investitorët e huaj, por edhe ata vendas me qëllim favorizimin e kompanive të lidhura me politikën”, thuhet në raport.

DASH shpreh shqetësimin e hershëm se ligjet ndryshojnë shpesh dhe në pjesën dërrmuese të tyre këto ndryshime bëhen pa u konsultuar me sipërmarrjen. “Sipërmarrësit dhe shoqatat e sipërmarrjes theksojnë se nuk njoftohen, as mjaftueshëm dhe as në kohë për nismat e qeverisë në ndryshimin e rregullave dhe ligjeve në fuqi”, vëren raporti.

Raporti i amerikanëve vëren se ka raste presioni ndaj investitorëve të huaj që të pajtojnë si nënkontraktore kompani të lidhura me politikanë. Sipas këtij raporti, këta investitorë kanë ngritur shqetësimin nëse me nënkontraktimin e këtyre kompanive po shkelin ligjet amerikane.

“Investitorë të huaj raportojnë presione për të nënkontraktuar kompani specifike me lidhje politike dhe ngrenë shqetësimin nëse shkelin Aktin e Praktikave Korruptive për Jashtë gjatë aktivitetit të tyre në Shqipëri”, vijon raporti i DASH.

Shqetësimi tjetër lidhet me atë të shprehur edhe nga Komisioni Europian, Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe të tjera institucione brenda dhe jashtë vendit; skemën e Partneritetit Publik-Privat.

“Raportimet dhe denoncimet për afera korruptive me tenderat janë gjë e zakonshme. Zgjerimi i kontratave sipas partneritetit publik-privat ka cenuar ndjeshëm garën në infrastrukturë dhe sektorët e tjerë, përfshirë këtu edhe për investitorët e huaj. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e një ekspertize teknike në vëzhgimin e kontratave sipas kësaj skeme (PPP) janë shqetësime të vazhdueshme. Në fund të 2018, Qeveria kishte nënshkruar më shumë se 200 kontrata të tilla”, thekson raporti.

Mes problematikave për klimën e biznesit renditet edhe krimi i organizuar. Sipas DASH, pavarësisht përpjekjeve të Qeverisë dhe autoriteteve ligjzbatuese, krimi i organizuar, duke përfituar edhe nga niveli i lartë i ekonomisë informale. Raporti e cilëson korrupsionin në sistemin e drejtësisë si endemik, që bashkë me paqartësinë në titujt e pronës janë dy faktorë të tjerë që trembin investimet e huaja direkte. Për këtë qëllim, raporti këshillon investitorët amerikanë që në hartimin e kontratave me qeverinë, ose kompani shqiptare të vendosin një klauzolë ku për çdo përplasje palët t’u drejtohen gjykatave ndërkombëtare.

DASH vëren me nota optimizmi se me përfundimin e reformës në drejtësi, sidomos me procesin e vettingut, klima e të bërit biznes do të përmirësohet ndjeshë.

“Reforma në drejtësi përshkruhet si një prej zhvillimeve më domethënëse në Shqipëri që prej rënies së komunizmit. Rreth një e treta e Kushtetutës ndryshoi. Përfundimi i procesit të vettingut do të garantojë që gjyqtarët dhe prokurorët me pasuri të pajustifikueshme, të paaftë profesionalisht dhe me lidhje të dyshimta të largohen nga sistemi i drejtësisë. Reforma do të shkurajojë korrupsionin, promovojë investimet e huaja dhe vendase dhe do t’i mundësojë Shqipëri të konkurrojë më me sukses në ekonominë globale”, thekson raporti amerikan.

Raporti i amerikanëve publikohet në të njëjtën kohë kur Komisioni Europian me një analizë të ngjashme qorton Qeverinë shqiptare për skemën e partneritetit publik-privat, që sipas KE rrezikon balancat makroekonomike dhe rrit borxhin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë