Ngjarje

Feja, njëzëri kundër martesës së dy grave në Bashki: Institucionet mos dalin kundër shumicës së shqiptarëve

Nga Gazeta Si - Që prej ditës së djeshme, kanë qenë të shumta reagimet për martesën e dy grave të së njëjtës gjini në tarracën e bashkisë Tiranë, një ngjarje që ndodh për herë të parë në vendin tonë.

Ndër to, kanë reaguar edhe komunitetet fetare.

Myftinia Tiranë, në një reagim zyrtar shkruan se kanë përcjellë me shqetësim aktin e pabazuar ligjërisht të një "martese" mes dy individësh të së njëjtës gjini të mbajtur në ambientet e një institucioni shtetëror.

“Me të njëjtin intensitet, Myftinia Tiranë përcjell edhe shqetësimin e mijëra besimtarëve dhe qytetareve të Tiranës, të cilët ndjehen të irrituar para një akti të tillë i cili nuk përfaqëson as botëkuptimin, as fenë dhe as traditën e shqiptarëve”, shkruhet në njoftimin zyrtar.

Myftia thotë se zhvillimi i një procedure të tillë në kundërshtim me ligjin shqiptar dhe Kodin e Familjes së Republikës së Shqipërisë është një veprim i rrezikshëm për të legalizuar dhe normalizuar një proces që “tenton të imponohet pa dëshirë përmes shkatërrimit të familjes dhe kulturës tonë kombëtare”.

Ne, thuhet në deklaratë, këshillojmë dhe u bëjmë thirrje institucioneve të jenë të kujdesshëm ndaj ngjarjeve të tilla duke mos u profilizuar në drejtimin e kundërt me pjesën dërrmuese të votuesve dhe taksapaguesve shqiptarë.

“Myftinia Tiranë, mbetet e angazhuar tërësisht dhe fuqimisht në mbështetjen dhe promovimin e vlerave të familjes si thelbi i shoqërive të krijuara nga Zoti i Lartësuar për mbarëvajtjen e njerëzimit.

Po ashtu mbetet e angazhuar në promovimin e çdo akti i cili synon lartësimin moral të ndërgjegjes tonë kombëtare si dhe çdo sipërmarrjeje që çon drejt mirëqenies tonë publike materiale apo shpirtërore qoftë ajo”, përfundon deklarata nga Myftinia Tiranë.

Ndërkohë, një reagim zyrtar ka bërë edhe Kisha ortodokse, ku shkruan se përjetësimi i njerëzimit ka qenë i bazuar në ekzistencën e dy gjinive dhe bashkimin e tyre.

“Asnjë kulturë, fe apo sistem ligjesh (Soloni, Platoni etj.) nuk e ka institucionalizuar bashkëjetesën homoseksuale si martesë. E panatyrshmja nuk bëhet e natyrshme me dekrete ligjore. Përkundrazi, një ligj i tillë fyen krijimin. Nuk është përparim shoqëror, por një konflikt me rendin natyror, e tatëpjetë”, shkruhet në deklaratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë