Gazeta Si - Katër aksidente brenda pak orësh mes mbrëmjes së të hënës dhe mëngjësit të kësaj të marte, kanë përgjakur rrugët e vendit, si pasojë edhe e reshjeve të shiut dhe lagështirës në rrugë. Bilanci është një viktimë dhe të paktë 5 persona të plagosur nga Kukësi deri në Lezhë.
Sipas policisë, sot rreth orës 09:20, në vendin e quajtur “Ura e Topojanit” në Kukës, shtetasi A.I., 46 vjeç, duke drejtuar automjetin tip “Mitsubishi”, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga.
Për shkak të dëmtimeve, 46-vjeçari ka humbur jetën, ndërsa nga aksidenti është dëmtuar edhe vajza e mitur e tij, pasagjere në automjet, e cila është jashtë rrezikut për jetën.
Korçë
Po ashtu, këtë të martë, një aksident ka ndodhur në rrugën Korçë-Ersekë, në afërsi të fshatit Dvoran. Sipas informacioneve, dy makina, një “Benz” dhe një tip “Land Rover” janë përplasur me njëra-tjetrën.
Për pasojë “Land Rover” ka përfunduar e përmbysur në rrugë, duke lënë të bllokuar brenda mjetit shoferin.
Drejt vendit të ngjarjes shkuan policia, ambulanca dhe zjarrfikësja të cilat bënë të mundur nxjerrjen e shoferit.
Siç duket nga pamjet përplasja ka qenë shumë e fortë duke shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme tek të dyja makinat.
Xibër
Më herët, një aksident rrugor ndodhi në vendin e quajtur “Shkallë Xibër”, ku një makinë ka dalë nga rruga duke përfunduar në lumë.
Për pasojë janë plagosur dy persona. Aksidenti fillimisht është pikasur nga drejtuesit e mjeteve të cilët kanë njoftuar policinë dhe ambulancën të cilët kanë shkuar në vendngjarje ku kanë bërë të mundur transportimin e dy të plagosurve në drejtim të spitalit.
Ndërkohë grupi hetimor ka nisur hetimet rreth aksidentit. Sipas policisë dyshimet e para dyshohet lagështira në rrugë por nuk përjashtohet edhe shpejtësia.
Lezhë
Ndërkohë, një aksident është shënuar mbrëmjen e të hënës në aksin Thumanë-Lezhë, ku një automjet që drejtohej nga një 35-vjeçar ka humbur kontrollin dhe është përplasur me trafik ndarësen.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00. Për pasojë drejtuesi i mjetit dhe bashkëshortja e tij mbetën të plagosur, të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.