Nga Gazeta Si – Kompozitori i njohur, Limos Dizdari ka dalë nga spitali. Pas një lufte të gjatë për jetën kompozitori është në gjendje të mirë shëndetësore.
Lajmi është bërë me dije nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila falënderon mjekët për punën dhe impenjimin e tyre.
“Kompozitori Limos Dizdari lë spitalin. Mirënjohje mjekëve tanë të mrekullueshëm. Alda Dizdari për vlerësimin e stafeve tona mjekësore. Shërim të shpejtë mjeshtër”, shkruan Manastirliu.
Ndërkohë vajza e tij, Alda Dizdari, nëpërmjet një mesazhi ka shprehur falënderim për mjekët duke theksuar se të gjithë si ekip dhanë çdo gjë, punuan natë e ditë dhe pacienti i tyre reagoi dhe filloi të përmirësohet.
“Nuk kam fjalë të falënderoj mjekët dhe gjithë stafin në Reaminacionin e Spitalit ‘Shefqet Ndroqi’ (Sanatoriumi) të cilët si heronj të vërtetë luftuan dhe sollën në jetë babin tonë Limos Dizdari”, shkruan e bija. E bija më tej shkruan se kompozitori ishte në gjendje të rëndë dhe më 13 maj familjarët nënshkruan që të hynte në operacion i intubuar, ndërkohë që ishin përgatitur për funeral.
Kompozitori ishte i intubuar që nga data 2 maj në Spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Kompozitori Limoz Dizdari është i mirënjohur për veprat simfonike, përpunimin dhe kompozimin e këngëve të muzikës së lehtë mbështetur në traditën popullore shqiptare. Ai është edhe kompozitor i muzikës së shumë filmave.
Nga kompozimet më të mira të Limoz Dizdarit ishin “Shirat e vjeshtës”, “Këputa një gjethe dafine”, “Udhët e atdheut më thërrasin”, të vlerësuara me çmime të para.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.