Ngjarje

Komiteti Teknik i Ekspertëve: Nuk i pranojmë akuzat e Bashës se kemi dështuar

Komiteti Teknik i Ekspertëve të Shëndetësisë ka reaguar pas akuzave të vazhdueshme të Partisë Demokratike mbi keqmenaxhimin e situatës së krijuar nga Covid-19.

Të indinjuar nga këto akuza, anëtarët e komitetit deklarojnë se nuk janë fasadë e askujt, ashtu sikurse deklaron kryedemokrati Lulzim Basha.
Ata nuk pranojnë asnjë prej akuzave drejtuar tyre, qoftë nga demokratët apo dhe nga politikanë të tjerë teksa shprehen se strategjia që kanë ndjekur deri më tani ka rezultuar e suksesshme.

"Ne, anëtarët e Komitetit Teknik të ekspertëve, jemi profesionistë të fushës sonë dhe sot, jemi pjesë e këtij Komiteti, të ngritur në zbatim të Ligjit mbi Epidemitë, për t’i shërbyer qytetarëve shqiptarë në këtë kohë tejet sfiduese. Ne nuk jemi “fasadë” e askujt, siç deklaron Z. Lulzim Basha. Ne nuk pranojmë akuzat për dështim në punën tonë, të bëra nga një kryetar partie, formimi profesional i të cilit nuk ka se si t’ia lejojë të bëjë gjykime në lidhje me punën e këtij komiteti", thuhet ndër të tjera në reagimin e Komitetit.

Komiteti citon edhe kreun e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që thotë se përdorimi politik i pandemisë i shërben vetëm përkeqësimit të situatës dhe është i dëmshëm për mbrojtjen e shëndetit publik.
Ata i bëjnë thirrje kryedemokratit Basha që të heqë dorë nga akuzat dhe baltosja e punës së tyre.
"I bëjmë thirrje Z. Basha që të tërheqë akuzat e bëra në adresë të anëtarëve të Komitetit Teknik të Ekspertëve, të heqë dorë nga përpjekja për baltosjen e punës së autoriteteve shëndetësore, që në këto kohë të pandemisë po bëjnë një sakrificë të jashtëzakonshme", përfundon reagimi.

Reagon PD

Pas deklaratës së Komitetit, reagoi edhe PD-ja përmes ish-deputetit, Bardh Spahia

“Keqardhje për komitetin e ekspertëve që me deklaratën e sotme konfirmoi se është vetëm një organ që shërben për t’i dhënë lustrën e “profesionalizmit” propagandës së rëndomtë e kriminale të Edi Ramës.

Ai komitet, që nuk i dha kurrë përgjigje shqetësimeve të qytetarëve dhe as ekspertëve të PD, sot zgjedh të përdoret politikisht në mënyrën më banale, duke bërë zëdhënësin e Edi Ramës kundër Lulzim Bashës.

Aq të madh e kanë merakun politik, sa kanë harruar respektimin e rregullit bazik anti Covid që vetë kanë urdhëruar për cdo qytetar: përdorimin e maskës. Shfaqen në foto të mbledhur pa maska... Dinë të bëjnë vetëm politikë dhe moralin e “bëj si them unë, por jo si bëj unë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë