Lajme

Komisar Artan Cuku shpallet “Dëshmor i Atdheut”

Komisar Artan Cuku, i vrarë në vitin 2017, u shpall “Dëshmor i Atdheut”. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në fjalën e tij tha se komisar Cuku u vra nga një atentat i pabesë prej një dore kriminale.
“Artan Cuku mbylli jetën e tij të re pas një atentati të pabesë prej një dore kriminale më 8 prill 2017. Vrasësi i paguar i Artan Cukut u kap nga policia më 11 qershor 2017, ndërsa porositësi i krimit të shëmtuar është arrestuar më 29 dhjetor 2018 në Athinë ku pritet edhe ekstradimi drejt Shqipërisë ku do të përballet me drejtësinë.
Nga sot i bashkohet radhës së ‘Dëshmorëve të Atdheut’, duke merituar respektin e gjithë shqiptarëve. Ne u shprehim respektin dhe mirënjohjen familjarëve të Artan Cukut. Me nderimin e Artan Cukut shprehim respektin për policinë dhe dëshmorëve të shumtë”, u shpreh ministri i Brendshëm.

Ministri Lleshaj u shpreh se nga numri i madh i të vrarëve nga radhët e Policisë së Shtetit duhet të jetë një thirrje për reflektim për gjithë shoqërinë dhe klasën politike.
“Numri i lartë i dëshmorëve të Policisë së Shtetit duhet të shërbejë si thirrje për përkushtim dhe ndershmëri për çdo punonjës të saj. Ky numër i lartë dëshmorësh duhet të shërbejë edhe si thirrje për reflektim ndaj çdo shqiptari, ndaj shoqërisë, ndaj klasës politike. Policia ka nevojë për më shumë policë, por për asnjë dëshmor nga radhët e saj”, tha Lleshaj.

Ish-drejtuesi i lartë i policisë, Artan Cuku, u vra më 8 prill të vitit 2017 në një atentat nga vrasës me pagesë në hyrje të pallatit të tij, në rrugën e “Kosovarëve” pranë Liqenit Artificial në Tiranë.
Për vrasjen e Artan Cukut, Policia e Shtetit arrestoi Mikel Shallarin, vrasës me pagesë, ndërsa porositësi ishte Bledar Jambelli, i arrestuar në Greqi në pritje të ekstradimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë