Futboll

Kombëtarja po “kolaudohet”! Panucci u hap derën të rinjve

Christian Panucci thotë se nuk ka përfunduar me “kolaudimin” e Kombëtares. “Humbja me Norvegjinë më ka bërë të kuptoj se ka diçka që nuk shkon dhe duhet ndryshuar”, shprehet ai.

Sa u takon miqësoreve që janë në horizont, trajneri italian kërkon më shumë përqendrim sesa përgatitje fizike.

“Fizikisht lojtarët nuk do të vijnë në maksimumin e mundshëm pasi jemi në fund të sezoneve, megjithatë Kombëtarja është kombëtare dhe nuk ka shumë takime miqësore. Kështu që në 10 ditët e grumbullimit duhet të punojmë me seriozitet për të vijuar me përgatitjet në kuadër të Ligës së Kombeve dhe eliminatoreve të Europianit. I kuptoj futbollistët që kanë zhvilluar një sezon të lodhshëm, duke dhënë gjithçka, megjithatë duhet të japin edhe diçka për Kombëtaren në mbyllje të sezonit, sepse me skuadrën përfaqësuese nuk bëhet shaka. Grupin po e formojnë”, thotë ai për SuperSport.

Një nga temat më të nxehta në javët e fundit ka qenë përfshirja e Sindrit Gurit në Kombëtare. Panucci i hap dyert plotësisht goleadorit shkodran, duke e thënë hapur se sulmuesi ia ka bërë vendin vetes për të qenë pjesë e kuqezinjve.

Christian Panucci gjatë një konference për shtyp si trajner i Shqipërisë

“Guri ia ka bërë vetë vendin vetes në Kombëtare nëpërmjet paraqitjeve dhe golave që po shënon. Duhet të vazhdojë të punojë dhe shpresojmë që te jetë pjesë e grupit, por gjithçka varet nga ai. Unë ftoj gjithnjë më të mirët”, deklaron tekniku i “Kuqezinjëve”.

Ndryshime ka patur edhe në stafin teknik, Ku Marco Cassetti është afrimi më i ri.

“Besoj se ka mbi 300 ndeshje në Serinë A. Kemi qenë shokë skuadre te Roma. Kam një marrëdhënie mjaft të mirë me të dhe ai mund të më ndihmojë sidomos me mbrojtësit dhe puna e tij do të ketë shumë vlera në përmirësimin e repartit difensiv”, shton Panucci.

Panucci organizoi një mbledhje me trajnerët e kombëtareve të moshave. Tekniku 45-vjeçar dhe federata kanë një objektiv, rritja e sa më shumë talenteve që mund t’i shërbejnë Shqipërisë në të ardhmen.

“Zhvilluam një mbledhje me të gjithë trajnerët e kombëtareve të moshave. Federata Shqiptare e Futbollit po investon për të rritur sa më shumë talente nga Shqipëria. Shpresojmë që të lindin sa më shumë lojtarë me cilësi, që në të ardhmen t’i shërbejnë përfaqësueses. E rëndësishme është që puna dhe bashkëpunimi me klubet ka nisur”, shprehet ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë