Një kombëtare që deri para pak muajsh ishte në kulmin e saj duke arritur të marrë për herë të parë një medalje bronzi, kalon në një dështim total. Kjo është historia e kombëtares shqiptare në volejboll për femra e thënë në pak fjalë.
Skuadra kuq e zi në muajin qershor të këtij viti arriti kulmin e saj duke shkuar deri në gjysmëfinalen e Ligës së Europës dhe fituar medaljen e bronzit. Por tashmë që kanë filluar eliminatoret e Kampionatit europian kjo skuadër duket e transformuar. Ndryshimi radikal duket që nga përbërja e skuadrës, e deri tek loja që ajo zhvillon. Janë larguar disa nga liderët e skuadrës dhe për rrjedhojë loja ka një rënie të ndjeshme.
Por kjo formë e kësaj skuadre nuk është shumë befasuese nëse do të dinim historinë e asaj që ka ndodhur me federatën e volejbollit gjatë kësaj vere. Presidenti i kësaj federate, Erlind Pëllumbi në prag të këtyre ndeshjeve gjatë muajit gusht kishte paralajmëruar kolapsin për këtë federatë dhe ekipet kombëtare. Ai shprehej se mungonin të ardhurat për të financuar përfaqësimin e të dyja ekipeve në këto takime ndërkombëtare, madje nuk mungoi edhe apeli i tij për institucionet shtetërore.
Në Tiranë për të mësuar më shumë për këtë gjendje dhe problem të madh të volejbollit shqiptar mbërriti edhe presidenti i Federatës Europiane të Volejbollit (CEV), Aleksandar Boriçiç. Ky i fundit kreu një sërë takimesh të nivelit më të lartë, duke filluar nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj e deri tek kryeministri Rama. Si rezultat i gjithë këtyre përpjekjeve që u zhvilluan jashtë vëmendjes së medieve, kombëtaret shqiptare në volejboll nuk u tërhoqën nga eliminatoret e kampionatit europian.
E vërtetë që nuk u tërhoqën, çka do të ishte një turp për volejbollin shqiptar, por përfaqësimi i kombëtares së femrave në këtë formë ka lënë shumë për të dëshiruar. Ekipi i femrave është mundur dy herë nga Zvicra në shifrat 3-0, një herë nga Kroacia në transfertë dhe Austria brenda në shtëpi. Disfata më e fundit ishte këtë të diele me Zvicrën në "Feti Borova" në shifrat e "zakonshme" 3-0.
Ndryshe nga vajzat, tek kombëtarja e meshkujve është ruajtur disi më shumë stabiliteti i ekipit, por edhe i rezultateve. Djemtë kuq e zinj nën drejtimin e teknikut, Jani Melka kanë arritur të fitojnë dy nga katër përballjet e deritanishme në këto eliminatore europiani. Rezultatet kanë qenë deri diku të kënaqshme po të shikojmë paraqitjet e mëparshme të këtij ekipi, por edhe loja ka qenë në nivele të mira. Ekipi kombëtar në volejbollin e meshkujve ka arritur të fitojë 3-2 me Austrinë dhe 3-1 me Kroacinë, të dyja në sallën sportive “Feti Borova”. Ndërsa është mundur nga Kroacia dhe Portugalia në transfertë 3-1 dhe 3-0.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.