Lojëra me Dore

Kombëtarja e basketbollit kalon natën në aeroport, udhëtim i lodhshëm drejt Armenisë

Gazeta Si – Të gjithë ata që pyesin pse lojërat me dorë në Shqipëri nuk janë në nivelin e dikurshëm, mund ta marrin një përgjigje nga ajo që ka ndodhur së fundi me Kombëtaren e basketbollit. Lojtarët dhe stafi teknik janë detyruar të flenë disa orë në Aeroportin e Vjenës, tranzit për udhëtimin drejt Armenisë, ku të dielën luan ndeshjen e parë kualifikuese të Botërorit 2027.

Një udhëtim i lodhshëm, që tregon vështirësitë që ka edhe Kombëtarja e basketbollit të meshkujve, për të mos folur pastaj për klubet. Kuqezinjtë e koshit u nisën mbrëmjen e së premtes nga Rinasi dhe ndaluan në Vjenë, ku kaluan natën, për t’u nisur mëngjesin e sotëm drejt Jerevanit. Një situatë aspak normale përpara një ndeshjeje të rëndësishme.

Kuptohet që Federata Shqiptare e Basketbollit nuk ka mundësi financiare dhe me këtë zgjidhje është munduar të kursejë, por sporti dhe më shumë akoma ai ndërkombëtar, nuk mund të bëhet me kursime.

Kombëtarja e basketbollit, e drejtuar nga trajneri Erkand Karaj, do të luajë 4 ndeshje për fazën paraeliminatore të Kupës së Botës. Pas Armenisë, më 21 nëntor 2024 është ndeshja me Austrinë në Shqipëri, pastaj dy ndeshje të tjera luhen në 2025-ën, me Armeninë në shtëpi dhe me Austrinë në transfertë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë