Lojëra me Dore

Kombëtaret në volejboll nuk ia dalin, munden nga Zvicra e Kroacia

Një mbrëmje jo në nivelin e pritshëm për kombëtaret shqiptare në volejboll për femra dhe meshkuj. Të dyja ekipet kuq e zi janë mposhtur në sfidat e treta të vlefshme për kampionatin europian. Humbjet kanë qenë të thella për të dyja ekipet, respektivisht 3-0 femrat dhe 3-1 meshkujt.

Për skuadrën kuq e zi të femrave edhe ndeshja me Zvicrën ka qenë një dështim total. Pas dy disfatave në dy ndeshjet e para me Kroacinë e Austrinë, Shqipëria është mundur edhe skuadra alpine, që në letër ishte cilësuar si rivalja më e lehtë për t’u mposhtur.

Tashmë fitorja po kthehet në një tabu për këtë ekip, që vetëm disa muaj më parë arriti për herë të parë në histori një medalje në nivel ndërkombëtar. Gjithsesi në dallim nga dy ndeshjet e para, kjo sfidë e në Zvicër e pa skuadrën e Shqipërisë në një nivel disi më të lartë.

Zvicër – Shqipëri, 3-0. Setet: 25-19, 25-23, 25-14 (femra)

Edhe kombëtarja e meshkujve ka zhgënjyer mbrëmjen e së mërkurës, duke u mundur nga Kroacia në shifrat 3-1. Pas asaj fitoreje shumë të bukur vetëm tre ditë më parë në sallën sportive “Feti Borova”, skuadra e Jani Melkës nuk ka mundur dot të bëjë surprizën përballë një ekipi si Kroacia që shfaqi gjithë potencialin e vet. Si në ndeshjen me Austrinë në Tiranë, ashtu edhe në këtë përballje në Kroaci, ekipi kombëtar në volejboll për meshkuj jep disa sinjale pozitive se rezultatet mund të vijnë shumë shpejt.

Kroaci – Shqipëri, 3-1. Setet: 25-15, 25-21, 19-25, 25-14 (meshkuj)

Pas katër ditëve nis edhe faza e dytë e eliminatoreve të Kampionatit Europian. Kombëtarja e meshkujve do të presë në ndeshjen e kthimit Kroacinë, ndërsa ajo e femra do të presë Zvicrën, në një sfidë, që cilësohet si e vetmja shpresë për Shqipërinë për të mos i mbyllur këto eliminatore pa asnjë fitore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë