Lajme

Kolegji Zgjedhor rrëzon Fredi Belerin: Çështjen do ta çoj në Strasburg

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar padinë e Fredi Belerit. Në këtë mënyrë, Beleri nuk mund të kandidojë në Bashkinë e Himarës për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Vendimin e Kolegjit Zgjedhor, Beleri në një prononcim të shkurtër për mediat e ka cilësuar si politik dhe ka deklaruar se do ta çojë çështjen në Gjykatën e Strasburgut.
“Kolegji rrëzoi padinë time. Vendimi Gjykatës në 2006 ishte një vendim politik. politik. Do i drejtohem Gjykatës së Strasburgut. Nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen e Peshkëpisë, kam prova”, tha Beleri.
Ndërsa KQZ ka kërkuar lënien në fuqi të vendimit që e pengon kandidimin e Belerit në Himarë, avokati mbrojtës e ka kundërshtuar duke thënë se KQZ ka keqinterpretuar ligjin.
“Ligji thotë se i ndalohet të kandidojë atij që është dënuar me burg. Beleri nuk ka bërë asnjë ditë burg. KQZ ka keqinterpretuar datat dhe faktet. Të shpallet i pavlefshëm vendimi i KQZ dhe të regjistrohet Beleri si kandidat për Bashkinë Himarë”, janë shprehur avokatët e Belerit.
“Beleri s’bëri asnjë ditë burg dhe iu shmang drejtësisë. Të rrëzohet kërkesa dhe të mbetet në fuqi vendimi që e pengon të kandidojë”, shprehet KQZ.
Pak para nisjes së seancës në Kolegjin Zgjedhor, Beleri ka qenë për rreth 3 orë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për t’u pyetur sërish për masakrën e Peshkëpisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë