Ana e errët

Kokteil me kokainë/ Festa në shtëpinë e të kërkuarit të policisë

Qese plastike, peshore droge, birra mbi tavolinë, kartë supermarketi dhe kartë plastike e një kompanie telefonie që përdoren gjithashtu edhe për ndarjen e kokainës si edhe kartëmonedha me prerje pesë mijë lekëshe. Kjo ishte panorama që fiksuan agjentët e policisë menjëherë pasi u futën në një banesë dublex, dhe pasi aty arritën t’u hedhin prangat djemve që gjendeshin brenda.

Karta telefoni dhe kartëmonedha në shtëpinë e të riut

Gjatë peshimit të drogës e llojit kokainë, në dosjen që Gazeta “Si” disponon thuhet se policët gjetën 3 mijë gramë kokainë, e cila dyshohet se do të shpërndahej atë natë në zonën e Qytetit Studenti. Por kjo që sapo treguam është si dhjetëra vendngjarje të tjera, kur policia ndërhyn dhe ndalon shpërndarës kokaine. Në dosjen që Gazeta “Si” disponon bie në sy zbulimi i kësaj “baze” pas një informacioni konfidencial që nuk spiunonte “kokainën”, por jepte të dhëna për strehimin e një të kërkuari.

Siç thuhet në dosje, Elvis Fejzullahu kërkohej nga policia, e megjithatë kjo nuk e pengonte atë që të mbante festa me drogë në një shtëpi të marrë prej tij me qira në Qytetin Studenti. Një hetim i prokurorisë, e cila do ta dërgojë dosjen në gjykatë tregon se si 22-vjeçari u kap në flagrancë teksa po konsumonte kokainë e së bashku me të edhe dy shokët e tij, të ftuar për festë. Në dosjen që gazeta “Si” disponon përmendet jo vetëm dëshmia e efektivëve të policisë që tregojnë se si e rrethuan banesën dhe çfarë panë, por edhe rrëfimi i njërit prej të ftuarve.

Qyteti Studenti

“Hajdeni në shtëpinë time dhe pimë ndonjë birrë”, kjo është ftesa që 22-vjeçari Erjon Fejzullahu i ka bërë Mariglen Ismailit. Dola nga shtëpia, tregon i riu Ismaili pasi më herët më kishte marrë në telefon edhe Gerti Xhabej. Por, të dy djemtë e kanë ndryshuar planin për të shkuar në lokal, menjëherë sapo në rrugë kanë takuar rastësisht Elvisin, i cili po kërkohej që prej muajit qershor, pasi ishte hetuar për veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës dhe ishte dënuar për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt. Por pasi është kapur në flagrancë duke pirë kokainë, i   kërkuari është justifikuar duke hedhur poshtë qëndrimin e policëve që thanë që e panë duke marrë diçka nga hundët. Ai këmbëngul se “policëve iu kanë bërë sytë” dhe se e kishte marrë shtëpinë me qira një muaj para se ta arrestonin “ndaj nuk e kam idenë e kujt është peshorja”. Por katër policët që morën pjesë në aksion gjatë veprimeve paraprake shtojnë më tej se Fejzullahu sapo kishte dëgjuar thirrjen “policia”, ka shkatërruar provat duke çarë dhe hedhur në banjë përmbajtjen e qeseve. Policët Renis Fertahti, Shyqyri Citozi, Jetmir Osmani e Lusian Zeqaj kanë mundur të dallojnë se çfarë po ndodhte në shtëpinë e të kërkuarit, pasi ajo ishte me fasadë xhami. Kur policia lëshoi thirrjen “hapni derën” veç asgjësimit të provave, të tjerët kanë shpejtuar të fiknin dritat. Por dy të ftuarit për birrë, njëri nga të cilët do përfundojë gjithashtu në gjykatë, rrëfen se e kishin fikur dritën nga frika e policisë. Por, policët tregojnë se të rinjtë “e zhytën shtëpinë në errësirë” që policët të mos shikonin më tej se si ata po i zhduknin provat.

Policët rrëfejnë: Pasi hymë brenda duke thyer xhamat dhe pasi ndaluam personat, gjetëm mbi tavolinë një pjatë të bardhë, mbi të kishte mbetje pluhuri të bardhë. Në banjë ishin hedhur përtokë qese, ku brenda tyre dallohej pluhur i bardhë, karta e qese farmaceutike.

Pas këqyrjeve e veprimeve paraprake, njëri nga të ftuarit është dorëzuar dhe ka treguar se “ishte përdorues droge prej dy vitesh, ndërsa tjetri vazhdon të këmbëngulë se kishte hyrë në shtëpinë e shokut që nuk e dinte që kërkohej, thjesht dhe vetëm për një birrë”. Epo, pretendimi i tij për birrë, siç rezulton e ka shpëtuar më tej nga hetimi, pasi në gjykatë do përfundojnë si të pandehur vetëm Xhabej dhe i  kërkuari i policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë