Shendet

Kokteil anti-trupash, ilaçi i ri që po testohet ndaj Covid-19

Shkencëtarët britanikë janë duke testuar një ilaç të ri, që  mund të parandalojë zhvillimin e COVID-19 tek personat e ekspozuar ndaj virusit.

Ky ilaç, sipas ekspertëve, mund të shpëtojë shumë jetë, raporton “The Guardian”

Terapia me antitrupa mund të sigurojë imunitet të menjëhershëm ndaj infektimit dhe mund t’u jepet si trajtim emergjent pacientëve që janë të shtruar në spital, por edhe qendrave të përkujdesjes me qëllim frenimin e përhapjes.

Kura e testuar mund t’u jepet edhe studentëve, tek të cilët virusi mund të përhapet shpejt sa kohë jetojnë, studiojnë dhe bashkëveprojnë me numër të madh personash.

Duke folur për të përditshmen britanike “The Guardian”, mjekia Catherine Houlihan, një virologe nga Kolegji Universitar i Londrës që ishte në krye të studimit të quajtur “Storm Chaser” për ilaçin, është shprehur se nëse arrihet sukses me këtë trajtim, atëherë ky do të ishte një tjetër element i shtuar në luftën ndaj virusit.

Ekipi i shkencëtarëve shpreson se testimi i ilaçit, i cili gërsheton përzierjen e antitrupave, do të sigurojë imunitet ndaj  COVID-19 për 6 deri në 12 muaj.

Pjesëmarrësit e testimit po ashtu janë duke iu nënshtruar dy dozave të kurës, njëra pas tjetrës.

Nëse trajtimi aprovohet, atëherë ai do t’u ofrohej personave që janë prekur nga Covid-19 brenda 8 ditëve të para.

Nëse miratohet, trajtimi mund të jetë i disponueshëm qysh në mars.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë