Ka ndodhur

Kokainë, tritol dhe marrëdhënie seksuale me një të mitur, 3 të arrestuar në Lezhë

Gazeta Si – Tre persona janë arrestuar nga policia në Lezhë, ndërsa një është shpallur në kërkim pas informacioneve se shpërndanin lëndë narkotike kokainë.

Dy prej tyre dyshohet se kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 15 vjeçare, të rinjve iu është gjetur edhe tritol në banesë.

Të rinjtë e arrestuar janë shtetasit me iniciale I.P., 20 vjeç, banues në Lezhë, i dënuar më parë për drejtim të automjetit nën efektin e lëndëve narkotike; A.G., 19 vjeç, banues ne Lezhë, i dënuar më parë për vjedhje; K.T., 20 vjeç, banues në fshatin Kolsh, Lezhë.

Pas informacioneve se shpërndanin lëndë narkotike, të cilën e mbanin në banesën e një 16-vjeçari, policia gjeti dhe sekuestroi një pako të mbushur me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, të ndarë në dhjetëra doza, të gatshme për shitje, 1 peshore elektronike, 1 kallëp tritol, kapsolla detonatore dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Në momentin e kontrollit, 16-vjeçari, në banesën e të cilit u gjetën sendet e kundërligjshme, nuk është gjetur në banesë dhe është shpallur në kërkim.

Gjithashtu, gjatë këtij operacioni rezultoi se I.P. dhe A.G., në banesën e 16-vjeçarit, kishin kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një shtetase të mitur 15 vjeçe, e cila është paraqitur në Komisariatin e Policisë dhe në prani të prindërve, psikologut dhe avokatit, ka bërë kallëzim për këta 2 shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve“, në ngarkim të shtetasve  I. P dhe A. G., ndërsa në ngarkim të shtetasve K. T. dhe të 16-vjeçarit, materialet u referuan për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë