Ngjarje

Kokainë dhe ekstazi në reçipeta, çifti u çonte drogën në shtëpi përdoruesve

Dy bashkëshortë të dyshuar si shpërndarës droge në kryeqytet përfunduan në prangat e policisë pas një kontrolli jo vetëm në shtëpinë, por edhe në trupin e gruas. Kur çifti që po survejohej nga antidroga u dërgua për kontroll më të imtësishëm në drejtorinë qendrore, befasia ishte gruaja nga Durrësi me inicialet A. S, që  mbante fshehur në reçipeta një qese , me katër doza kokainë. Por pas këtij kontrolli, befasia ishte edhe sasitë dhe llojet e drogës që ata mbanin në banesë, që nga hashash e deri tek ekstazi. Dyshohet se çifti i bashkëshortëve që në lagje hiqeshin si të qetë dhe mjaft të edukuar e çonte drogën në banesën apo vendin ku e kërkonin përdoruesit. Bashkëshorti i saj i moshës 41 vjeç me inicialet J. Q u konstatua në flagrancë nga shërbimet e antidrogës pas vëzhgimeve që e nxjerrin zbuluar, por që për policinë për një kohë të gjatë nuk po kuptohej se si ai shpërndante drogën. I riu kishte gjetur në fakt një formulë krejt të re, duke përdorur partneren me të cilën ka krijuar familje. Sipas burimeve të gazetës “Si”, J. Q me banim në Kombinat dyshohej se shpërndante kokainë dhe hashash në zonën e “1 Majit” dhe të “Komunës së Parisit”. Ky shtetas përdor një mjet Saab, i tha policisë një informator, por që për antidrogën pas disa ditëve vëzhgim rezultoi e vështirë të gjente se me ç’mënyrë ata e dërgonin drogën te përdoruesit.

Policia shkruan në raport shërbimi “në orën 21.30 ne pamë automjetin që u parkua dhe prej andej doli ky shtetas nën shoqërinë e një femre. Sapo dolën, i bllokuam dhe ju kërkuam kontroll makine”. Policia referon në raport shërbimi se në mjetin Saab, nuk kishte asnjë dozë hashashi apo droge. Por, në këto kushte, pavarësisht se mjeti i dyshuar dukej qartësisht që përdorej për grirje hashashi, antidroga ka urdhëruar kontroll edhe në banesën e çiftit. “Ne nuk po e kuptonim se si ka mundësi, të dhënat i kishim të sigurta, që çifti po shkonte të shpërndante drogë, ende nuk e kishim zbuluar që mjeti ishte i pastër, por që dozat fshiheshin në trupin e 37-vjeçares”, tregoi për gazetën “Si” burimi i antidrogës.

Në trupin e të resë më pas u gjetën dozat e kokainës, dhe sipas policisë dyshohet se ajo është bashkëpunëtore me të shoqin, ndaj edhe ajo u arrestua.

Veç kokainës, efektivët kanë zbuluar në banesën e çiftit  qese me lëndë narkotike hashash në formën e çokollatës, tri qese me metamfetamin, 12 doza ekstazi. Doza me hashash, fara të bimës narkotike kanabis dhe fishekë.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë