Dosje

Kokaina me ‘çanta diplomatike’, narkotrafikantët shqiptarë korruptuan edhe konsullin amerikano-latin në Belgjikë

Kokaina me ‘çanta diplomatike’, narkotrafikantët shqiptarë korruptuan edhe konsullin amerikano-latin në Belgjikë

Gazeta Si - Rrjetet shqiptare të narkotrafikut në Belgjikë kishin arritur të korruptonin edhe një konsull amerikano-latin, i cili përmes njerëzve të tij trafikonte kokainë drejt Europës në “rrugë diplomatike”.

Kjo është zbuluar nga gazeta franko-belge "La Libre" gjatë seancës në gjyqin e radhës pas çkodifikimit të “SKY ECC” me 40 të pandehur, shqiptarë dhe kolumbianë, të akuzuar për trafik ndërkombëtar kokaine në kuadër të dosjes “Black Eagle”, ose “Shqiponja e Zezë”. Fitimet për një rrugë të tillë me “çanta diplomatike” ishin shumë të mëdha.

Hetuesit ishin në gjendje të përcaktonin, në bazë të të dhënave të mbledhura falë çmontimit të rrjetit të “Sky ECC”, se kokaina udhëtonte me “çantë diplomatike” nga Paraguaji.

Sipas dosjes hetimore, kjo “rrugë diplomatike” bëhej çdo 15 ditë. Sasia maksimale për transport ishte 100 kg kokainë për udhëtim, megjithatë, ishte e preferueshme të mos kalohej kjo shifër.

Në Amerikën e Jugut, kokaina tregtohej me 4500 euro për kilogram. Pasi në Bruksel, ajo mund të rishitej nga 25,000 deri në 30,000 euro, një fitim midis 500% dhe 600%.

Hetuesit bënë mundur përcaktimin se kur trafikantët merrnin mallin e trafikuar, duhej t’i paguanin konsullit të Amerikës së Jugut, i cili ishte korruptuar, një shumë prej 10,000 eurosh.

Për drejtuesit e organizatës kriminale, kjo rrugë dukej shumë premtuese, sepse, nëse nuk do të ishte shkatërruar, mund të ishte përdorur për tre vjet, pra deri në zgjedhjet e ardhshme në vendin e konsullit, pa përcaktuar se cilit shtet amerikanolatin i përkiste.

Prokurorja federale Julie Coduys në aktakuzën e saj, tha se “ne gjetëm vetëm një flok bore mbi ajsbergun” e krijuar. Që kokaina të kalonte oqeanin pa incidente, organizatës nuk i mungonte imagjinata.

Aty ishte “economy class”, kontejneri me drogën i fshehur në thasë që zhytësit, të pajisur me kostume dhe çanta të papërshkueshme nga uji, e merrnin natën.

Sipas “La Libre”-s, disa nga shqiptarët e përmendur në këtë proces janë identifikuar si Artur S., Indrit. K., Arben I., Alfredo H., apo shtetasi nga Kosova Bashkim O., të konsideruar mes trafikantëve më të mëdhenj shqiptarë në tregun e kokainës.

Në këtë dosje janë zbuluar edhe lidhje me zyrtarë në Shqipëri, ku përmendet korruptimi i një prej tyre me një orë 400 mijë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë