Mendim

Koha është tani! Vaji i ullirit është para në bankë

Nga Dr. Arben Molla- Në jo pak raste ne kemi humbur avantazhet e zhvillimit të nënsektorëve të ekonomisë si pasojë e mos orientimit dhe veprimit në kohën e duhur.

Sot, Shqipëria ka një mundësi reale për të kapur kohën dhe për të siguruar rritje të qëndrueshme të prodhimit të ullirit dhe përpunimit të tij në vaj ulliri.

Nese Shqipëria siguron rreth 75 produkte bujqësore dhe blegtorale (commodities) 25 prej tyre janë më kryesoret dhe pa ndrojë shkruaj që ulliri (kupto vaji i ullirit) zë vendin e parë.

Mundësitë janë:

a) numri i konsiderueshëm i rrënjëve të ullirit në prodhim të cilat llogariten në rreth 11 milion rrënjë dhe rrënjë të tjera të cilat hyjnë në prodhim çdo vit

b) konjuktura në tregun botëror pasi bazuar në informacionin e Këshillit Ndërkombëtar të Ullirit (IOC) rekolta e vitit 2022 e cila llogaritet (1 nëntor 2022-31 tetor 2023) do të jetë 6% më pak krahasuar me një vit më parë.

Konkluzioni i Kongresit Botëror të vajit të ullirit të mbajtur në shkurt-mars të këtij viti  bëri me dije se rrënja e prodhimit të vajit të ullirit vërehet pothuajse në të gjitha vendet mesdhetare ku ulliri kultivohet.

Rrënjën më të madhe e zë Spanja me 27.6% (660.000 ton ulli më pak se sa normalja që është 1.5 milion ton) e ndjekur nga Italia, Franca dhe Portugalia. E nëse faktori kritik që ka çuar në rënien drastike të prodhimit të ullirit dhe për pasojë dhe të vajit të ullirit në Spanjë është thatësira në Itali, shkaktari kryesor është Xylella Fastidosa, bakter i cili ka shkaktuar dëme serioze në rajonin e Puglias e cila normalisht siguron 50% të prodhimit të ullirit në Itali.

"Shqipëria ka mundësi reale për të kapur kohën dhe për të siguruar rritje të qëndrueshme të prodhimit të ulliri"

Respektivisht, nga 60 milionë rrënjë ullinj që kultivohen në rajon, 21 milion rrënjë janë shkatërruar dhe do të duhen vite të rikuperohet. Fabrikat e vajit të ullirit zakonisht kanë punuar 24/7, në vitin 2022 punuan vetëm në fundjavë.

Kjo mungesë në treg ka çuar në rritjen e çmimit të vajit të ullirit në tregun botëror nga 25-60%. "Supermarket në tregun Britanik do të ndiejnë mungesën e ¼ të sasisë së vajit të ullirit", u shpreh Filippo Berio CEO e UK Ltd.

Viti 2022 për vendin tonë ishte vit i begatë për prodhimin e ullirit dhe për pasojë të vajit të ullirit. Shifrat e INSTAT për sasinë e prodhimit të vajit të ullirit shpesh nuk përputhen me gjendjen reale.

Nga prova të kryqëzuara, kontakte në terren dhe norma rreth 30-35 kg vaj për kv ullinj, sasia e prodhuar në fakt duhet të jetë rreth 80 mijë ton vaj ulliri për vitin 2022. Shto këtu që fermerët trashëgojnë në familjet e tyre sasi vaji nga prodhimi i viteve parardhëse rezulton që sasia gjendje në fillim viti të ishte rreth 100 mijë ton vaj ulliri.

Për të plotësuar mungesën në tregun botëror, prodhimi shqiptar “vjen në ndihmë” me sasinë e prodhuar dhe stok të ruajtur në mjedise dhe ambalazh të papërshtatshëm. Ajo që pak a shumë pritej, ndodhi.

Tregtarët italianë e grumbulluan rifuxho dhe eksportuan në Itali. Për pasojë ky vaj në tregun jashtë do të dalë me emër tjetër por jo atë të vendit që e prodhoi. Çmimi i shitjes shpesh ishte/është nën koston e prodhimit dhe për më tepër në shumicën e rasteve u shit me kg dhe jo me litra.

Përveç faktit që një prodhim cilësor i vajit por i ruajtur në mjedise dhe enë të papërshtatshme gjeti rrugën e tregut dhe fermerët në pjesën më të madhe të tyre u “çliruan” nga sasitë e vajit që kishin stok në shtëpitë e tyre  përveç sa mundën të shesin “tek porta” për tregun vendas, kur bëhet fjalë me rritjen e të ardhurave nga ky produkt mbetemi në vendnumëro. Në tregun europian çmimi i shumicës varioi nga 6-8 euro/litër, tek ne u shit nga 300-400 lek/litër.

Çfarë duhet të ndërmerret që: a) Çmimi i shitjes për eksport të jetë më i lartë dhe b) produkti shqiptar i vajit të ullirit të dalë në tregun për eksport me logon e vetë.

1-Për këtë po punojnë aktualisht dy projekte ai i Kooperacionit Italian i zbatuar nga CIHEAM Bari dhe projekti i sapo filluar i Agjencisë Zviceriane për Zhvillim i zbatuar nga “Helvetas” në bashkëpunim me aktorë lokalë. I pari ndër të tjera do të forcojë shërbimin e mbrojtjes së ullirit, teknologjinë e kultivimit dhe certifikimin e produktit. I dyti do të mbështesë me iventarizimin e prodhimit të ullirit dhe vajit si dhe me analizat përkatëse. Gjetja e tregjeve me vlerë të shtuar do të jetë qëllimi final.

Përfundimi i kadastrës së ullirit do të ofrojë një ndihmesë të madhe për identifikimin dhe rajonizimin si dhe për fillimin  e procesit të ristrukturimit të ullishtave.

b) Kjo situatë nuk do të jetë përgjithmonë. Vendet si Italia të cilës i është dëmtuar prodhimi po ndërhyn për të lokalizuar dëmin dhe rigjeneruar pemët apo mbjellë të reja. Thatësira në Spanjë nuk do të jetë e përvitshme. Në një riplotësim të nevojave të tregut nga prodhuesit tradicionalë të cilët kanë ngritur prej vitesh strukturat e prodhimit të certifikuar dhe zotërojnë kanalet e marketingut do të rizënë përsëri pozicionin në treg dhe për pasojë vaji i ullirit shqiptar “pa emër” dhe “pa vulë” nuk do të kërkohet më nga tregtarët italiane apo greke.

Askujt nga blerësit në supermarkatot britanike, të vendeve të Bashkimit Europian, Amerikës apo Japonisë nuk “do t’i mungojë” vaji shqiptar pasi ai nuk ka ekzistuar për syrin e tyre me etiketën përkatëse. E, nëse do të veprojmë shpejt për të eksportuar vaj ulliri cilësor (gjë që e kemi) të certifikuar dhe ambalazhuar me brandin tonë, edhe kur të rikuperohet prodhimi i munguar nga eksportuesit tradicionalë, ne do të kemi zënë vend në treg. Kuptohet, Shqipëria nuk është prodhues i madh që të zëvendësoje mungesën e ¼ të sasisë së munguar në tregun britanik por do të zërë vendin dhe fashën e saj.

Si mund të arrihet kjo?

Ka një sërë masash të ndërmarra dhe potencialisht të tjera mund të ndërmerren.

Zvogëlimi i fragmentizimit. Është domosdoshmëri kooperimi fermer (sot 250.000 fermerë kultivojnë ullinj) duke kryer shërbimet ndaj kulturës së ullirit në kohë dhe teknologji të njëjtë për të siguruar cilësi uniformë të vajit, përfitimi maksimal i masave të ofruara nga qeveria si mbështetja e naftës pa akcizë dhe mekanizimin për të kaluar më tej në rimbursimin e tvsh për inputet si plehrat kimike dhe pesticidet.

Certifikimi i produktit dhe vlerësimi në nivel vendi i sasisë dhe llojeve të vajit.

Mbështetja e Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor ShBB (kooperativave) dhe biznesit privat në procesin e aplikimit në kuadër të programit IPARD III për ndërtimin e stabilimenteve dhe fabrikave të përpunimit të ullirit për përpunim vaji. Si dhe rëndësinë e kreditimit të këtyre dy lloj subjekteve nëpërmjet bankave.

Këtu do të theksoja rëndësinë e realizimit të idesë së hedhur nga Kryeministri Edi Rama për mbështetjen me kredi sovrane ShBB-ve. Realizimi i kësaj ideje të vlerë merr përparësi në kushtet e mbështetjes së gjithanshme për prodhimin e vajit të ullirit por, nëse shohim buxhetin e vitit 2023 kjo ide nuk gjendet e materializuar. Është koha të rihapet përsëri ky diskutim dhe të shihet mënyra e trajtimit në periudhën e rishikimit të buxhetit të këtij viti.

Kredia e siguruar nga BERZH-i e cila u është dhënë bankave të nivelit të dytë për ta disbursuar duhet të mobilizohet i gjithë fondi në dispozicion i shumës prej 40 milion dollarë. Nga ky fond duhet t’u sigurohet kreditimi subjekteve të cilët do të aplikojnë dhe mundësisht do të përzgjidhen si fitues nga AZhBR/IPARD III.

Zvarritjet dhe gjykimi jo më prioritet i bordeve përkatëse të bankave për dhënien e kredisë në dispozicion të subjekteve të cilat janë skanuar nga AZhBR dhe kanë fituar projektin për ndërtimin e stabilimentit/fabrikës së përpunimit të ullirit për prodhim vaj ulliri nuk është në linjë me qëllimin e marrjes së kredisë nga ana e qeverië dhe nuk çon në suksesin e sfidës që kemi përpara: Atë të rritjes së qëndrueshme të prodhimit cilësor të vajit të ullirit, magazinimin e tij në struktura brenda standardit, ambalazhimin dhe tregtimin e tij dinjitoz në tregun vendas dhe eksoprt. Fondi i garancisë nga BERZH-I me shumën 4 milion euro përbën një tjetër garanci për këto banka.

Me programin AZhBR/IPARD janë mundësuar ngritja e qendrave të grumbullimit dhe standardizimit të fruta perimeve. Një model i ngjashëm mund të aplikohet edhe për grumbullimin e vajit të ullirit.

Pra kapanone me kapacitete magazinuese të vajit të ullirit duke e ruajtur në cisternë (tanke) inoksi. Këto do të shërbejnë dhe si “konsolidator” i vajit të ullirit duke përbërë kështu qendrat e para të lidhjes së kontratave të vajit të ullirit me rrjetet e supermarkatove vendase, njësive tregtare dhe eksportit.

Shoqata e Prodhuesve të Vajit të Ullirit duhet të dakordësoje me anëtaët e vetë para fillimit të rekoltës së vitit 2023 çmimin që do ta shesin vajin për eksport. Kjo është një tjetër masë e shpejtë për të rritur vlerën e produktit vaj ulliri i cili me të drejtë në tregun ndërkombëtar tanimë cilësohet: ari i gjelbër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë