Një ide e nisur nga një postim në Instagram i Kirie Irving ka ngritur shumë diskutime në basketbollin amerikan. Lojtari i Nets, shpesh i kritikuar për disa qëndrime të tij, ka hedhur për diskutim idenë e një logoje të re të NBA-së, me imazhin e Kobi Brjant. Irving mendon se është mirë që logoja t’i dedikohet yllit që humbi jetën tragjikisht një vit më parë.
“Duhet të bëhet, nuk më intereson çfarë mendojnë njerëzit, mbretërit e zinj kanë ndërtuar ligën”, – shkruan Irving në postimin e tij. Koncepti e një logoje ndryshe nga ajo e krijuar në vitin 1971 me figurën (edhe pse kurrë nuk është pohuar zyrtarisht) e Xherri Uest, që të përfaqësohet nga një lojtar me ngjyrë dhe një nga idhujt e këtij sporti, është pritur në mënyra të ndryshme.
Sigurisht, është mbështetur nga Vanesa Brajant, bashkëshortja e Kobit, ndërkohë që ka nisur një peticion online, që deri tani ka mbledhur 3 milionë firma. “Kobi e meriton, kushdo që vjen në ligën tonë duhet të kuptojë cilat janë standardet dhe shembujt që duhet të ndjekë”, – ka thënë Irving.
Ideja për ndryshimin e logos nuk është e re në fakt, pak vite më parë u fol për vendosjen e imazhit të Majkëll Xhordan në të. Irving ka shtuar edhe pjesën raciale, duke theksuar se simbol i ligës duhet të jetë një lojtar me ngjyrë dhe specifikisht Kobi Brajant.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.