Ngjarje

Kobe Bryant la pas një perandori biznesi, përtej fushës së basketbollit

Trashëgimia e Kobe Bryant shtrihet përtej fushës së basketbollit. Ai krahas karrierës së famshme në basketboll, ishte i njohur në botën e biznesit si një krijues i markave (brand-eve), si një investitor, dhe si një trajner për atletët e tjerë dhe themeluesit e ndërmarrjeve.
Kobe Bryant ndërroi jetë në një përplasje me helikopter në Calabasas, të Kalifornisë në moshën 41 vjeçare.
"Për 20 sezone, Kobe Bryant na tregoi se çfarë është e mundur kur talenti i jashtëzakonshëm përzihet me një përkushtim absolut për të fituar," tha zëdhënësi i NBA, Adam Silver, në një deklaratë. "Ai ishte bujar me mençurinë që kishte fituar dhe e pa atë si një mision për ta ndarë me gjeneratat e ardhshme të lojtarëve", shtoi ai.

Përtej fushës së basketbollit
Kobe Bryant e diversifikoi karrierën e tij duke u futur dhe në botën investuese përpara se të largohej nga NBA. Ai bashkëthemeloi me themeluesin e Web.com, Jeff Stibel, firmën e investimeve në sipërmarrjet e reja (venture capital) Bryant Stibel.
Gjatë krijimit të kompanisë, Kobe Bryant ndoqi një model të ndjekur nga disa legjenda të tjerë të sportit që arritën të transformonin aftësitë e tyre të basketbollit në biznese të sukseshme.
Lojtari i famshëm i NBA, Earvin Johnson, ishte nga të parët lojtarë që në 1987 themeloi firmën e investimeve “Magic Johnson Enterprises”, e cila investoi në disa biznese me emër si “Starbucks” dhe aeroporti “LaGuardia”.
Firma e Kobe Bryant tani ka më shumë se 2 miliard dollarë në aktive, me investime të shtira në dhjetëra kompani të teknologjisë, mediave dhe të dhënave. Ajo gjithashtu ka investime në firmën Epic Games (krijuese e Fortnite), kompaninë e pagesave dixhitale Klarna, dhe në firmën e produkteve shtëpiake “The Honest Company”.
Në një intervistë për CNBC në shtator të vitit të kaluar Kobe Bryant është shprehur mbi sukseset e tij në biznes. “Duhet të kesh sipërmarrës të fortë dhe të kesh aftësinë për t’i gjetur ata, ky është çelësi i suksesit tonë. Sigurisht që fitimet e sipërmarrjeve në të cilat ne investojmë kanë rëndësi, por është gjithashtu e rëndësishme të kesh marrdhënie të mira me sipërmarrësit si dhe t’i ndihmosh ata duke i vënë në mjedise ku ata mund të rriten e të bëhen të sukseshëm”, deklaronte ai.
Krahas firmës së investimeve në sipërmarrje, Kobe Bryant ka bërë me miliona dollarë me investimin e tij në pijen energjitike Body Armor, e cila e rriti vlerësimin e saj si firmë me shitjen e një pjese të kapitalit të saj te Coca-Cola.
Reputacioni i Kobe Bryant si një sportist shumë i arrirë dhe një ndërtues brand-esh ishte dhe një nga arsyet e suksesit të portofolit të tij të investimeve.
“Kur Kobe Bryant vë vulën e tij të miratimit në diçka dhe vendos të jetë partner në biznesin tënd, bota e sportit dhe çdokush në spektrin industrisë së sporteve të njeh e papriturazi ti vlerësohesh në një mënyrë që shumica e startup-eve (firmave të sapokrijuara) nuk e përjetojnë gjer në momente shumë të vona” kanë deklaruar themeluesit e firmës së kujdesit të lëkurës “Art of Sport”, Brian Lee dhe Matthias Metternich, tek të cilët ylli i basketbollit kishte investuar gjithashtu.
Në 2016-ën Kobe Bryant themeloi “Granity Studios”, një kompani mediatike që fokusohet në tregimin e historive të ndryshme përreth sporteve. Përmes kësaj kompanie ylli i basketbollit shkroi dhe rrëfeu filmin me metrazh të shkurtër “I dashur basketboll”, i cili ka fituar çmimin e akademisë (Academy Award) për filmin më të mirë të animuar me metrazh të shkurtër në 2018-ën. Studio “Granity” ka publikuar gjithashtu dhe libra për adultët e rinj ndër të cilët dhe autobiografinë e Kobe Bryant me titull “Mentaliteti I Mambës: Si unë luaj.”

Ndërtimi i markës “Black Mamba”
Kobe Bryant, i njohur ndryshe në fushën e basketbollit si “Mamba e zezë”, nisi të ndërtojë brandin e tij herët në karrierë dhe si një imazh publicitar i Nike.
Kobe Bryant ishte një prej lojtarëve elitarë (përfshirë këtu LeBron James dhe Carmelo Anthony) që nënshkruan kontratë me kompaninë Nike në 2003-shin. Kjo e ndihmoi kompaninë e atleteve të forconte pozicionin dhe imazhin e saj në botën e basketbollit përgjatë dekadave të ardhshme, pas daljes në pension të Michael Jordan.
Teksa suksesi i Kobe Bryant rritej në fushën e basketbollit, po të njëjtën rritje kishte dhe partneriteti i tij me Nike. Kompania “Nike”, më pas, nxori në treg linja të shumta veshjesh dhe atletesh që mbanin firmën dhe emrin e Kobe Bryant.
Nike krijoi partneritet me yllin e basketbollit si dhe “Los Angeles Boys” dhe “Girls Club” në nisjen e një lige të basketbollit për të rinj, falë të cilës do i jepej mundësia qindrave fëmijëve të kishin akses falas në sport. Më pas Bryant krijoi akademinë e sporteve Mamba në mënyrë që t’iu jepej trajnim më i specializuar sportistëve të ndryshëm. Madje Kobe Bryant ishte duke fluturuar për në akademinë e tij të sporteve Mamba kur helikopteri i tij u rrëzua e i mori jetën.
Nike në një deklaratë ka thënë se “Ne jemi të shkatërruar emocionalisht nga lajmi tragjik dhe i ofrojmë keqardhjet tona më të thella familjes dhe miqve të Kobe Bryant. Ai ishte një nga sportistët më të mëdhenj të brezit të tij dhe ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në botën e sportit dhe komunitetin e basketbollit. Gjithashtu, ai ishte një anëtar i dashur i familjes Nike dhe ne do t’ia ndiejmë shumë mungesën. Mamba përgjithmonë”.
Kobe Bryant gjithashtu është përfshirë në përpjekjet e NBA-së për ta zgjeruar audiencën e saj përtej Shteteve të Bashkuara, e veçanërisht në Kinë. Në 2015-ën ai bashkëpunoi me grupin “Ali Baba” për të nxjerrë dokumentarin e tij “Muza e Kobe Bryant” përmes pajisjes dixhitale për transmetime televizive në Kinë, “Tmall Magic Box TV”.
Marrëveshja e yllit të basketbollit me gjigandin “Alibaba” përfshinte krijimin e një platforme sociale, që do i ofronte mundësinë të rinjve kinezë të njiheshin me Kobe Bryant dhe filozofinë e tij, si dhe shitjen e disa produkteve që mbanin markën e Kobe Bryant përmes platformave të “AliBaba”.
Përgjatë karrierës së tij Kobe Bryant, ka nënshkruar gjithashtu disa marrëveshje për të qënë imazh publicitar me kompani si McDonald’s, Sprite, Nintendo dhe Turkish Airlines.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë